LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, iniciativa kundër vaksinimit të detyrueshëm do të shqyrtohet pas zgjedhjeve

Maqedoni, iniciativa kundër vaksinimit të detyrueshëm do të shqyrtohet pas zgjedhjeve

Iniciativa qytetare kundër vaksinimit të detyrueshëm që është dorëzuar në Kuvend, do të shqyrtohet pas zgjedhjeve presidenciale.

Në seancën e sotme të Komisionit për Sistem Politik edhe pse kjo pikë ishte vendosur në rend dite, e njëjta u shty për shkak të mungesës së kuorumit për punë, përcjell Telegrafi Maqedoni.


Deputeti Çedomir Sazdovski i cili udhëhoqi seancën, tha se arsyeja për mos shqyrtimin e kësaj çështje është periudha zgjedhore dhe për të njëjtën do të diskutohet më 6 ose 7 maj.

Dorëzuesit e kësaj iniciative kërkojnë ndryshime në Ligjin për mbrojtje shëndetësore nga sëmundjet ngjitëse, me çka në vend të vaksinimit të detyrueshëm, kërkojnë që vaksinimi të jetë zgjedhje e prindërit.

“Ne nuk jemi kundër vaksinimit, por mendojmë se për këtë duhet të vendosë prindi”, tha Elena Pavleska.

Dorëzuesit e kësaj iniciative nuk u përgjigjën pse këto ndryshime ligjore i kërkojnë në kohën e shpalljes së epidemisë së fruthit.

Ndryshe, këtë iniciativë e kanë nënshkruar 129 qytetarë./Telegrafi/