LAJMI I FUNDIT:

Uri për rrëfime

Uri për rrëfime

Nga: Paul Auster
Përktheu: Granit Zela

Nuk e di pse bëj këtë që bëj. Po ta dija, ndoshta s’do ta ndjeja nevojën për ta bërë. Gjithçka që mund të them, dhe e them me siguri të madhe, është se e kam ndjerë këtë nevojë që prej adoleshencës time të hershme. Po flas për të shkruarit, posaçërisht për të shkruarit si një mjet për të rrëfyer histori, histori imagjinare që s’ kanë ndodhur kurrë në atë që ne e quajmë botë reale. Pa dyshim se kjo është një mënyrë e çuditshme për të shpenzuar jetën, i ulur vetëm në një dhomë, me stilolaps në dorë, orë pas ore, ditë pas dite, vit pas viti, duke luftuar për të vënë fjalët në copa letre për t’i dhënë jetë diçkaje që nuk ekziston askund tjetër përveçse në kokën tënde. Për çfarë arsye në botë do të donte ndokush ta bënte një gjë të tillë? Përgjigja e vetme që kam qenë në gjendje të gjej është kjo: sepse je i detyruar ta bësh, sepse nuk ke zgjidhje tjetër.

Nevoja për ta bërë këtë gjë, për të krijuar, për të trilluar, është pa dyshim një shtysë themelore e njeriut. Por, për çfarë qëllimi? Çfarë qëllimi ka arti, në veçanti arti letrar, në atë që e quajmë botë reale? Asnjë nga ato që më vijnë në mendje mua, të paktën jo në ndonjë kuptim praktik. Një libër s’ka vënë asnjëherë ushqim në stomakun e një fëmije të uritur. Një libër s’e ka ndaluar ndonjëherë një plumb që përshkon trupin e një viktime. Një libër s’e ka penguar ndonjë bombë që bie mbi civilët e pafajshëm në mes të luftës. Ka nga ata që u pëlqen të mendojnë se të vlerësuarit e thellë të artit në të vërtetë mund të na bëjë njerëz më të mirë, më të drejtë, më të moralshëm, më të ndjeshëm, më shumë mirëkuptues. Ndoshta kjo është e vërtetë, në disa raste të rralla, të izoluara.


Por, le të mos harrojmë se Hitleri e filloi jetën si artist. Tiranët dhe diktatorët lexojnë romane. Vrasësit në burg lexojnë romane. Dhe kush mund të thotë se ata nuk marrin të njëjtën kënaqësi nga librat si të gjithë të tjerët? Me fjalë të tjera, arti është i padobishëm, të paktën kur krahasohet, le të themi, me punën e një hidrauliku, apo një mjeku, me punën e një inxhinieri. Por, a është padobishmëria diçka e keqe? A do të thotë mungesa e qëllimit praktik se librat, pikturat dhe kuartetet e harqeve përbëjnë thjesht humbje të kohës sonë? Shumë njerëz mendojnë kështu. Por, unë do të doja të argumentoja se është pikërisht padobishmëria që i jep vlerë artit, se krijimi i artit është ajo që na dallon nga të gjitha krijesat e tjera që banojnë këtë planet, diçka që, në thelb, na përkufizon si qenie njerëzore. Pra, të bësh diçka thjesht për hir të kënaqësisë si e tillë dhe për hir të ndjenjës së të bukurës që të ngjall ajo. Mendoni për përpjekjet e mëdha që nevojiten, orët e gjata të praktikës dhe disiplinën e nevojshme që duhet të bëjë një pianist apo kërcimtar i suksesshëm. E gjithë vuajtja dhe puna e madhe, e gjithë sakrifica bëhet për të arritur diçka që është plotësisht, dhe në mënyrë të mrekullueshme… e padobishme.

Prozëshkrimi megjithatë ekziston në një fushë disi të ndryshme nga artet e tjera. Forma e saj e përcjelljes është gjuha, dhe gjuha është diçka që e ndajmë me të tjerët, është e përbashkët për të gjithë ne. Nga çasti që mësojmë të flasim, ne fillojmë të zhvillojmë një uri për histori. Ata që mbajnë mend kohën e fëmijërisë, do të kujtojnë se me sa gëzim e prisnim çastin kur duhej të dëgjonim përralla për të na vënë në gjumë, çasti kur nëna ose babai uleshin pranë nesh në gjysmerrësirë dhe lexonin për ne rrëfimet e një libri me përralla. Ata që janë prindër s’e kanë të vështirë të sjellin në mendje vështrimin e përqendruar në sytë e fëmijëve, kur lexojmë për ta. Pse ekziston kjo dëshirë e madhe për të dëgjuar? Përrallat janë shpesh me ndodhi mizore dhe të dhunshme, me prerje kokash, kanibalizëm, shndërrime groteske dhe magji të këqija. Mendimi i parë që të vjen në mendje është që kjo lëndë është shumë e frikshme për një fëmijë, por ajo që këto rrëfime bëjnë që fëmija të përjetojë është pikërisht përballja me frikërat dhe mundimet e tij të brendshme në një mjedis ku ai është plotësisht i sigurt dhe i mbrojtur. E tillë është magjia e rrëfimeve, ato mund të na flakin poshtë në thellësitë e ferrit, por në fund fare janë të padëmshme. Rritemi, por nuk ndryshojmë. Bëhemi më të sofistikuar, por vazhdojmë të ngjajmë me veten tonë më të ri, të etur për të dëgjuar rrëfimin e ardhshëm, tjetrin pas tij dhe kështu me radhë.

Për vite të tëra, në çdo vend të botës perëndimore, janë botuar me dhjetëra artikuj që ngrenë shqetësimin se po lexohet gjithnjë e më pak, se kemi hyrë në atë që disa e kanë quajtur “epoka e pas-leximit”. Mund të jetë e vërtetë, por në të njëjtën kohë, kjo prirje s’e ka zvogëluar urinë universale për rrëfime. Romanet nuk janë burimi i vetëm, në fund të fundit. Filmat, televizioni dhe madje edhe librat komikë na japin një pjesë të madhe të rrëfimeve të trilluara, dhe publiku vazhdon t’i gllabërojë ato me shumë pasion. Kjo ndodh ngaqë qeniet njerëzore kanë nevojë për rrëfime. Ata kanë nevojë për to pothuajse aq dëshpërimisht sa kanë nevojë për ushqim, dhe pavarësisht nga mënyra se si përcillen rrëfimet, në një faqe të shtypur libri apo në ekranin e televizionit, do të ishte e pamundur të imagjinohej jeta pa to. Prapëseprapë, kur është fjala për gjendjen e romanit, për të ardhmen e romanit, jam optimist. Shifrat s’kanë rëndësi kur bëhet fjalë për librat. Sepse ekziston vetëm një lexues, çdo herë dhe në secilën herë vetëm një lexues. Kjo shpjegon fuqinë e veçantë të romanit dhe arsyen pse, sipas mendimit tim, ai kurrë nuk do të vdesë. Çdo roman mbart një bashkëpunim të barabartë midis shkrimtarit dhe lexuesit, dhe është i vetmi vend në botë ku dy të huaj mund të takohen në kushtet e intimitetit absolut. Unë e kam kaluar jetën duke biseduar me njerëz që kurrë s’i kam parë, me njerëz që kurrë s’do t’i njoh, dhe shpresoj që kjo të vazhdojë deri ditën kur s’do të marr më frymë. Është puna e vetme që kam dashur me gjithë zemër të bëj.

Në trend Kultura

Më shumë
Qyteti më i vjetër në botë!

Qyteti më i vjetër në botë!

Kulture
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Kulture
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

Fjala+
Politika dhe gjuha angleze

Politika dhe gjuha angleze

Analiza
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Kalo në kategori