LAJMI I FUNDIT:

Raufi: “Bombat” do të zbulojnë kryerësit dhe urdhëruesit për rastin “Monstra”

Raufi: “Bombat” do të zbulojnë kryerësit dhe urdhëruesit për rastin “Monstra”

Avokati i të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës Naser Raufi, pas seancës së sotme për rastin “Monstra”, tha se me përgjimet e paligjshme të cilat i posedon PSP-ja dhe të cilat shpreson se do të preceduohen në Gjykatën Penale, do të zbulohen urdhëruesit e vërtetë për vrasjen që ndodhi më 12 prill të vitit 2012.

“Me dëgjimin e ‘bombave’ jam i sigurt se do të vijmë tek urdhëruesit dhe kryerësit e vrasjes. Gjatë shqyrtimit të dëshmive kemi vërejtur se nga PSP-ja akoma nuk janë dorëzuar përgjimet e paligjshme. Kur do të dorëzohen ne do t’i dëgjojmë. Nuk jam i njoftuar as me numrin e bisedave, pasi deri tani nuk kam pasur asnjë kontakt me ato dëshmi, megjithatë jam i sigurt se me ta do të gjejmë kryerësit”, tha Raufi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në disa nga seancat e fundit për rastin “Monstra” opinioni ka qenë i përjashtuar.


Raufi pohimet se Fejzi Aziri ju ka ndihmuar Afrim Ismailoviqit dhe Alil Demirit të arratisen në Kosovë, i mohoi duke thënë se Aziri nuk ka pasur asnjë lidhje me arratisjen e tyre.

Ndryshe, për vrasjen e pesëfishtë tek Liqeni i Smilkovës më 12 prill, kur u vranë pesë djem të rinj, me burg të përjetshëm janë dënuar Halil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq, Haki Aizir, Fejzi Aziri dhe Sami Luta.

Gjykata e Lartë në muajin dhjetor të vitit 2017 i shfuqizoi gjykimet, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailoviq, Haki Haziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe u caktoi masa kujdesi. Pas heqjes së aktgjykimeve, rastin “Monstra” e ndërmori PSP-ja dhe lënda u kthye në gjykim të sërishëm./Telegrafi/