LAJMI I FUNDIT:

Të mërkurën në librarinë Dukagjini promovohet romani i dytë i autorit Azem Deliu

Të mërkurën në librarinë Dukagjini promovohet romani i dytë i autorit Azem Deliu

Të mërkurën, më 27 shkurt 2019, në librarinë “Dukagjini” promovohet romani i dytë i Azem Deliut. Ky roman ka arritur të hyjë mes librave më të shitur të vitit 2018, ndonëse ka dalë në gjysmën e muajit nëntor.

I komentuar në shtypin shqiptar e të huaj si një nga shkrimtarët më premtues të brezit të tij, Deliu suksesin e arriti me romanin paraprak ”Puthësi i paligjshëm”. Romani ”Shënimet e krimbit Smolinski” u shkrua pjesërisht gjatë qëndrimit të autorit në Rezidencën e Artistëve në Poloni.

Në këtë takim do të diskutohet për letërsinë në përgjithësi, e veçanërisht për librin e ri nga i cili autori do të përpiqet të japë refleksionet e tij mbi letërsinë e procesin e të shkruarit.


Piotr Smolinski, shkrimtar i njohur polak, ftohet në një rezidencë artistësh në Kosovë ku ndeshet me mentalitetin e pasluftës e që, në disa pika, i kujton problemet e rënies së komunizmit në vendin e tij. Shkrimtari biseksual me vetëbesim të pakët, na nis në një rrëfim që kapërcen nëpër krejt problemet e fëmijërisë që kanë rezultuar ndoshta në pasiguritë e tij të sotme. Përballjet e tij me familjen, traditën, kishën, e në fund fare me veten, e bëjnë të mbajë nofkën dëshpëruese ”krimb i pandershëm”.

Ndonëse një nofkë e vënë nga të tjerët, në këtë roman ajo përjetohet si diçka që buron prej vetes. Sepse, siç thotë Smolinski: ”Njeriu i merr seriozisht veç ato që ia ka thënë vetes para se t’ia thonë të tjerët”. ‘

Koha e mbajtjes së promovimit është nga ora 18:00.
Gjatë kësaj kohe, librin mund ta bleni me 20 për qind zbritje. /Telegrafi/