LAJMI I FUNDIT:

Thaçi kujton Rambujenë: Kur bashkohemi dalim gjithmonë fitimtarë

Thaçi kujton Rambujenë: Kur bashkohemi dalim gjithmonë fitimtarë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte protagonisti kryesor i Konferencës së Rambujesë, ka kujtuar nisjen e punimeve të kësaj konference para 20 vjetësh.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka thënë se Kosova nuk duhet të frikësohet asnjëherë nga dialogu kur pranë ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera mike.


Ai ka thënë se edhe në Rambuje, edhe sa herë që kemi qenë të bashkuar, gjithmonë kemi dalë fitimtarë.

“Sot u bënë dy dekada nga nisja e punimeve të Konferencës së Rambujesë, e cila ishte iniciuar nga Grupi i Kontaktit. Pas mbi një muaj negociatash që rezultuan pa marrëveshje të përbashkët, nisi edhe intervenimi i NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë. Republika e Kosovës nuk duhet të frikësohet asnjëherë nga dialogu kur pranë ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera mike. Bashkë i kemi dhënë fund luftës dhe bashkë e kemi ndërtuar edhe paqen. Edhe në Rambuje, edhe sa herë që ne kemi qenë të bashkuar, gjithmonë kemi dalë fitimtarë. Prandaj, edhe paqen afatgjate në rajonin tonë duhet ta ndërtojmë së bashku. Këtë duhet ta bëjmë për hir të brezave të rinj dhe një të ardhmeje më të mirë për popullin tonë dhe tërë Ballkanin Perëndimor!”, ka shkruar Thaçi.