Zyra e Prokurorisë së Specializuar të Republikës së Kosovës e zhvendosur në Hagë nisi intervistimet. Si funksionon kjo strukturë dhe cilat janë kushtet për ngritjen e akuzave?
Java e dytë e janarit 2019 mund të ishte edhe një javë e zakonshme për stafin e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, të Republikës së Kosovës të zhvendosur në Hagë, sikur media të panumërta nga Kosova të mos kishin zënë rrugën Saturnstraat në qytetin bregdetar të Holandës.
Në ndërtesën numër 9 të kësaj rruge disa nga rreth 60 hetuesit e kësaj prokurorie intervistuan dy ish-komandantë të UÇK-së, Rustem Mustafën dhe Sami Lushtakun. Ftesat e tyre të bëra publike nga mbrojtja sollën edhe kamerat e mediave.
“Njerëzit intervistohen çdo ditë. Kjo është puna e prokurorisë”, thotë zëdhënësi i kësaj zyre Christopher Bennet në një intervistë për Deutche Welle.
Ai më tej shpjegon, se ai nuk mund as të konfirmojë nëse e pyesin, se kush intervistohet, pasi ata janë të detyruar të mbrojnë identitetin e personave të intervistuar.
Ish- gazetari nga terreni i luftërave ballkanike, tani zyrtar gjyqësor, thotë, se personeli në këtë zyrë është shtuar me 60 profesionistë të hetuesisë.
Numri i hetuesve deri në 75
Ky numër sipas Bennet do të vazhdojë të rritet deri në kapacitetin e vet të plotë prej 75 personave. Hetuesit e speciales në mandatin e tyre duhet të punojnë vetëm mbi krimet e lidhura me raportin e Dick Marty-t , ku në mes të tjerave thuhet se “krimet e forcave serbe janë dokumentuar, denoncuar dhe gjykuar për aq sa është e mundur”. Ai vazhdoi të shpjegojë se prokuroria kosovare ka qenë bashkëpunuese me ta. Benet refuzon t’i përgjigjet pyetjes se a do të ketë bashkëpunim në drejtimin e kundërt, nëse një nga hetuesit e speciales identifikon një krim që nuk lidhet me raportin e Dick Marty-t a do t’i dorëzohet kjo prokurorisë kosovare?
“Është pyetje shumë hipotetike”, thotë ai.
Britaniku me shtetësi sllovene që tani punon për institucionet gjyqësore kosovare, shpjegon se prokurori kryesor Allan Tiger është duke punuar në përpilimin e aktakuzave.
Ai tregon se Tiger ka punuar për Tribunalin për Ish-Jugosllavinë në aktakuzat për Mladiqin dhe MiIlosheviqin.
Pesë kushte për ngritjen e aktakuzave
Sipas zyrës së prokurorisë aktakuzat do të ngrihen atëherë kur ato të plotësojnë këto kushte: dëshmitë të jenë të pranueshme për gjykatën speciale; dëshmitë do të jenë në dispozicion në kohën e gjykimit; dëshmitë do të jenë të mjaftueshme të provojnë, përtej dyshimit të arsyeshëm, çdo krim të secilit person të akuzuar; se rasti do t’i mbijetojë një mbrojtjeje inteligjente dhe të informuar mirë; se rasti do të rezultojë në dënime që do të kalojnë apelin.
Deri tash ky ekip dhe shumë hetues të tjerë që kanë punuar në rastet e paraqitura në raportin e Dick Marty-t nga viti 2011 kanë dështuar, që të plotësojnë kushtet edhe për një aktakuzë të vetme, prandaj ky trup i ndërkombëtarizuar i gjyqësisë kosovare ende mbetet pa dhënë ndonjë rezultat të dukshëm për publikun.
Një ekip prej 170 personash dhe 44 milionë euro në vit
Në qytetin e Hagës përveç prokurorëve dhe hetuesve është edhe një numër i madh njerëzish, që punojnë në kuadër të gjykatës, regjistrit dhe këshilltarëve të mbrojtjes dhe viktimave. Regjistri bën përkrahjen administrative të gjykatës dhe prokurorisë. Në këtë pjesë punojnë mbi 100 persona që së bashku me prokurorinë arrijnë numrin prej 170 të punësuarve ndërkombëtarë, të cilët paguhen nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja dhe përkrahen me donacione shtesë nga Norvegjia, Turqia dhe Zvicra.
Buxheti dy vjeçar i këtij misioni është 86 milionë Euro që është i barabartë me përafërsisht buxhetin tetë vjeçar të Prokurorisë së Kosovës, e cila është nën lupën ndërkombëtare dhe duhet të ketë rezultate në luftimin e korrupsionit në Kosovë.
Angela Griep, një gjermane me përvojë pune në institucionet e BE-së në Kosovë dhe një njohëse e mirë e rajonit, punon si udhëheqëse e sektorit me media dhe komunikim. Ajo gjatë më shumë se një viti pune në këtë institucion udhëton rregullisht në Kosovë, ku punon me një numër të OJQ-ve që të shpjegoj punën e gjykatës. Ajo krenohet me raportin e parë dhe faqen e gjykatës në internet ku shpjegohet puna e deritashme. Një nga punët e saj është edhe anketa me qytetarët e Kosovës rreth këtij institucioni. Ajo deklaroi disa nga rezultatet në bisedë me Deutsche Welle-n.
Gjykatën shqiptarët e përkrahin më shumë se serbët
Sipas kësaj ankete të realizuar në periudhën maj-qershor 2018, 61 për qind të qytetarëve e përkrahin deri diku punën e Gjykatës Speciale të Kosovës. Shumica e tyre janë shqiptarë, ndërsa në mesin e serbëve përkrahja është vetëm 26 për qind.
Në mesin e atyre që nuk e përkrahin gjykatën, 35 për qind besojnë se gjykata do të japë vendime të njëanshme, 25 për qind nuk e përkrahin, pasi mendojnë se gjykata nuk do t’i dënojë të gjithë kriminelët dhe 24 për qind nuk e përkrahin, pasi besojnë që kjo është një lojë e ndërkombëtarëve.
Në përgjithësi anketa tregon një mosbesim të serbëve në këtë institucion, të cilët nuk presin rezultate nga procesi. Vetëm 2 për qind e serbëve beson, se procesi do të ketë një rezultat legjitim, krahasuar me 51 për qind të shqiptarëve që kanë këtë mendim.
Një gjë që është ngritur si problematike edhe gjatë procesit të Tribunalit për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi është mbrojtja e dëshmitarëve. Vetëm 2 për qind e serbëve mendojnë, se kjo do të bëhet mirë.
Për këtë Griep tregon se tashmë gjykata ka ndërmarrë hapat në këtë drejtim, por ajo heziton të japë detaje për shkak të ndjeshmërisë së procesit. Griep shpërndan fletëpalosjen, ku shpjegohet se mbrojtja e dëshmitarit do të bëhet edhe me “ndërprerje të transmetimit dhe fshehje të plotë e dëshmive nga publiku”.
Puna e deritashme
Prokuroria nuk ka arritur që të ngrejë asnjë akuzë, përkundër rreth 700 mijë faqe material të ,mbledhur nga UNMIK-u, EULEX-i, prokuroria e Kosovës, Dick Marty e shumë aktorë të tjerë. Mirëpo siç edhe shprehet Bennet, puna vazhdon dhe intervista bëhen tërë kohën.
Në pjesën e gjykatës janë përcaktuar rregullat e procedurës dhe është punuar në komunikim me publikun si dhe “organizim të sigurisë dhe përkrahjen e aktiviteteve gjyqësore, duke ofruar shërbime të gjykatës përkthime, mbrojtje të dëshmitarëve, pjesëmarrje të viktimave, shërbime të arrestit si dhe të bashkëpunimit gjyqësor”.
Në këtë gjykatë unike në botë është përcaktuar edhe Ombudspersoni, i cili do të merret me ankesat e shkeljeve të të drejtave të të akuzuarve, viktimave apo kujtdo që ka punë me institucionin. /DW/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Dorëzohet në polici Goce Trajkovski, dëshmitari i vrasjes së Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit
Policia në kërkim të një personi në Gjakovë, dyshohet se kreu vjedhje në një xhami
Rokas: Jemi të fokusuar në ndihmën e vendit për zbatimin e reformave
Gripi po e kalon pragun epidemik, IKSHPK apel qytetarëve që të vaksinohen
Mickoski takon familjen Rusi në SHBA: Ata janë shembull i shqiptarëve të suksesshëm nga Maqedonia
"Programi i kuponëve" MASHTI fton për aplikim familjet që janë përfituese të Skemës së Asistencës Sociale
Prokuroria Speciale po heton 1 mijë e 600 kontrata njëburimore
Krasniqi: E kaluara e lavdishme e prindërve, burim frymëzimi e angazhimi për një Kosovë ma mirë
Ura e Badocit u lëshua për qarkullim pa përfunduar testimi final, intervistohet një person
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Nuk ndalen ofendimet brenda BBVA: 'Komplet familjen atij' – Jozi shan rëndë Gjestin
Kualifikohen 18 skuadra, Man City rrezikon seriozisht eliminimin - situata para ndeshjeve të fundit
Bolton: Me Trumpin mund të ndodh shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë
Maqedonci reagon pas publikimit të letrës së KFOR-it për dërgimin e ushtrisë në veri: S'ka rizotim, por sqarim
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump zbulon se është mbështetës i gjigantit të Ligës Premier
Rikthehet gjakmarrja në Dragoç, familja e autorit të vrasjes ka mbetur e ngujuar