LAJMI I FUNDIT:

Sfidat e sistemit shëndetësor në Maqedoni, shpresë dhe premtime për standarde evropiane

Sfidat e sistemit shëndetësor në Maqedoni, shpresë dhe premtime për standarde evropiane
Foto: Ilustrim

Shëndetësia publike është vendosur para sfidave të mëdha, ndërsa kompetentët me këmbëngulje dhe optimizëm besojnë dhe premtojnë se janë në rrugë të mbarë për të siguruar shërbime më të mira shëndetësore, me qëllim që të ketë pacientë dhe punonjës të kënaqur shëndetësorë. Nga ana tjetër, pacientët, të përballur me problemet e tyre shëndetësore, ende kanë shpresë të madhe se sistemi shëndetësor i Maqedonisë do t’i arrijë standardet shëndetësore evropiane.

Shumë aktivitete të rëndësishme publike shëndetësore e shënuan vitin 2018. Për herë të parë në institucionet publike shëndetësore filluan të zbatohen metoda për të cilat deri tani pacientët shkonin në qendrat mjekësore jashtë vendit. Në mesin e tyre më të rëndësishme janë: vendosja e zemrës mekanike te një pacient i Klinikës për Kardiokirurgji Shtetërore, transplantim i realizuar i palcës së eshtrave nga dhurues i drejtpërdrejt në Klinikën për Hematologji dhe Trombektomi Mekanike te një pacient 70-vjeçar, i cili ka përjetuar goditje në tru, të cilit me sukses i është nxjerrë trombi dhe është shpëtuar, ndërsa pas tre viteve pauzë në Klinikën për Urologji është kryer transplantim i veshkave nga një dhurues që ka ndërruar jetë.

Përveç kësaj, është furnizuar pajisje mjekësore dhe janë rinovuar më shumë reparte të klinikave, është siguruar terapi bashkëkohore për Hepatit C, janë vendosur tri lloje të reja të insulinave nga gjenerata më e re, ndërsa njëra prej tyre është e dedikuar për fëmijët, është vendosur edhe vaksinë falas kundër gripit sezonal për persona mbi moshën 65 vjeçare me pension mesatar dhe nën mesatar, si dhe për ata pa pension.


Në mesin e aktiviteteve të realizuara është edhe furnizimi i inkubatorëve të rinj për Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë, përparimi i kushteve për qëndrim dhe shërim të foshnjave dhe nënave të tyre dhe procesi i filluar i edukimit dhe trajnimit të kuadrit, me fokus të veçantë në repartin për neonatologji, që rezultoi me ulje të dukshme të vdekshmërisë së foshnjave, prej 24 për qind, në rreth 15 për qind, brenda vetëm një viti, në përputhje me të dhënat nga Reparti i Klinikës për Kujdes Intensiv.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, praktikisht në shëndetësinë tonë publike nuk ka metodë në cilëndo fushë që mjekët nuk e punojnë.

Janë për t’u theksuar përpjekjet për përmirësimin e procesit të transplantimit të organeve. Në këtë drejtim Filipçe shprehet se janë duke i intensifikuar bisedimet me “Evrotransplant”, dhe se planifikohet edhe investim serioz në Klinikën për anestezion, e veçanërisht në Qendrën për Transplantim.

“Nuk është qëllimi që vetëm t’i bëjmë organet e të ndjerëve të aksesueshme për pacientët tanë, por që të mund t’i bëjmë të kapshme atëherë kur nuk do të mund të gjejmë pacientë tanë kompatibil dhe për pacientë në Evropë përmes “Evrotransplant”. Për shkak të kësaj jemi duke hapur derën përmes kontratave tashmë të lidhura me Kroacinë që organe prej pacientëve të ndjerë të bëhen të aksesueshëm për pacientët tanë”, shprehet Filipçe.

Paralajmëroi se është duke u përpiluar listë e pacientëve pranues të organeve dhe regjistër elektronik. Lidhur me dhënien e licencave për punë për spitalet private në pjesën e mbjelljes së organeve, sqaroi se kjo bëhet me qëllim që të sigurohet infrastrukturë më e mirë në këtë veprimtari.

Në këtë drejtim edhe është paralajmëruar partneritet i institucioneve shtetërore me kompanitë private si një nga mënyrat alternative që dukshëm të mund të sendërtohet dhe forcohet sistemi shëndetësor i Maqedonisë. Është marrë vendim që kontrata e spitalit “Zhan Mitrev” për kryerjen e intervenimeve kardio-kirurgjike për të moshuar dhe për fëmijë, prej vitit 2019 të zgjerohet dhe të përfshihen fëmijët me sëmundje më të rënda të zemrës, të cilët deri tani kuroheshin në Klinikën për Kirurgji Fëmijërore.

Shërbime cilësore shëndetësore do të mundësohen edhe me ndërtimin e Qendrës së re Klinike Universitare, për çka u mbajt debat për lokalitetet e mundshme të saj. U prezantuan dy propozim lokalitete të reja në komunat Gjorçe Petrov dhe Petrovec, me qëllim që të shqyrtohen të gjitha aspektet e mundshme për gjetjen e vendit përkatës për zhvillimet e reja dhe moderne në shëndetësi.

Përveç gjetjes së mënyrës për zgjidhjen e problemit me infrastrukturën, fokus i posaçëm vihet edhe në zgjidhjen e problemit me mungesën e doktorëve dhe infermiereve. Janë punësuar tashmë një numër i madh i doktorëve dhe infermiereve dhe numri i tyre prej fillimit të këtij viti, deri tani, është rreth 2.300.

“Kemi shpallur 250 specializime, më kritike ishte me specializimet nga pediatria dhe anesteziologjia për shkak të mungesës së mentorëve. Mungojnë shumë gjëra në sistemin shëndetësor, për shkak se nuk mund të përmirësohen menjëherë. Mungesa e kuadrit paraqet problem shumëvjeçar me të cilin përballen thuajse të gjitha institucionet publike shëndetësore, ndërsa kjo ka të bëjë me politikat, që janë zbatuar gjatë gjithë këtyre viteve dhe prandaj tani kemi deficit serioz. Jemi duke bërë gjithçka që mundemi për ta forcuar sistemin, shprehet Filipçe.

Me qëllim të motivimit të kuadrit në institucionet publike shëndetësore, është realizuar rritje e pagave të punëtorëve shëndetësor për pesë për qind në shtator të vitit 2018, rritje të kompensimit për kujdestari, ndërsa specializantët për herë të parë marrin kompensim dhe paguhen për punën e tyre.

Është paralajmëruar se në janar të vitit 2019 do të ketë rritje plotësuese për 10 për qind të pagave të doktorëve specialistë, për pesë për qind të mjekëve të përgjithshëm dhe të infermiereve, ndërsa në shtator të vitit 2019 edhe për punëtorët tjerë administrativ në shëndetësi.

Mes të tjerash, janë përgatitur ndryshime të Ligjit për mbrojtje shëndetësore për marrje në shëndetësinë publike të infermiereve, të cilat më parë kanë punuar në institucione private shëndetësore, të themeluara me qira në shtëpitë shëndetësore, e për arsye të ndryshme ndërkohë kanë mbetur pa punë. Në përputhje me dispozitën e vendosur në Ligjin, infermieret që do të mbeten pa punë do të merren në institucionet publike shëndetësore. Me ndryshimet do të përfshihet edhe mundësia për marrjen e doktorëve të mjekësisë, stomatologë dhe farmacistë nga shëndetësia private në atë publike.

Por, nuk duhet të harrohen edhe pacientët, e veçanërisht fëmijët me sëmundje të rënda. Me qëllim të sigurimit të kujdesit më të madh dhe mbështetjes psikologjike, që është një nga segmentet më të rëndësishme për kurim të suksesshëm, veçanërisht për pacientët e reparteve onkologjike dhe familjeve të tyre, është e rëndësishme ajo se me mbështetjen e trajnerëve nga Izraeli në mënyrë speciale u trajnuan 26 punëtor shëndetësor të punësuar në institucionet publike shëndetësore, të cilët janë emërtuar palaço mjekësor.

Ata përmes artit terapeutik të lojës dhe humorit, përmes bisedave u ndihmojnë fëmijëve me sëmundje më të rënda të Klinikës për sëmundje të fëmijëve dhe familjeve të tyre, e sipas nevojës do të shkojnë edhe te të sëmurët në klinikat tjera. Qëllimi i tyre është që ta zvogëlojnë frikën dhe brengosjen te pacientët, që ata të mund ta rrisin forcën dhe motivimin e tyre dhe ta orientojnë drejt përballjes me sëmundjen. Ky program funksionon kudo në botë dhe është jashtëzakonisht i suksesshëm në shërimin e pacientëve. Qëllimi është që përmes fuqisë së qasjes pozitive t’u ndihmohet fëmijëve, së paku për një çast të harrojnë në sëmundjen dhe stresin.

Numri më i madh i projekteve në shëndetësinë publike që kanë filluar prej vitit 2018 do të vazhdojnë të realizohen në vitin 2019, ndërsa janë paralajmëruar edhe shumë projekte të reja. Prej 1 janarit do të fillojnë së funksionuari tri pika kujdestare të pediatrisë në Shtëpinë e Shëndetit Shkup edhe atë në poliklinikat Bit Pazar, “Jane Sandanski” dhe në Gjorçe Petrov.

Planifikohet furnizim i mamografeve me vlerë prej 85 milionë denarëve që do të shpërndahen në gjithë Maqedoninë, është paralajmëruar sistem i ri i funksionimit të laboratorëve në institucionet shëndetësore me qëllim që të vendoset sistem më cilësor laboratorik, të bëhet kursim i madh, këtë ta ndjejnë pacientët, ndërsa do të zbatohet edhe ndarje e re e kuotave për ilaçe në barnatoret me të cilat Fondi për Sigurim Shëndetësor ka lidhur kontratë. Rreth 500 barnatore do të marrin rritje të barabartë të kuotave për rreth 20 mijë denarë në muaj për barnatore. Me shpërndarjen e re të gjitha barnatoret marrin kushte korrekte për sigurimin e ilaçeve, ndërsa personat e siguruar do të kenë qasje më të madhe deri te ilaçet gjatë tërë muajit në barnatoret në afërsi të vendbanimit të tyre.

“Me këtë dinamikë vazhdojmë edhe në vitin 2019. E forcojmë infrastrukturën. Nuk do të mund t’i zgjidhim problemet brenda natës dhe jemi të vetëdijshëm për këtë, mirëpo unë jam i bindur se jemi në rrugën e vërtetë. Jemi duke siguruar kushte, infrastrukturë, pajisje dhe ekspertizë në kuadër të asaj që ky sistem e mundëson tani. Edhe një herë e tregojmë angazhimin tonë të fuqishëm për t’i mbajtur punëtorët shëndetësor në Republikën e Maqedonisë. Na duhen doktorë të kënaqur dhe cilësor, të cilët do të na shërojnë në shëndetësinë publike”, shprehet Filipçe./AIM/