LAJMI I FUNDIT:

Dita e 10 e protestës së studentëve: Nuk kthehemi në universitet! (Video)

Dita e 10 e protestës së studentëve: Nuk kthehemi në universitet! (Video)

Studentët vijojnë prej 10 ditësh protestën, tanimë përpara Kryeministrisë. Ndonëse e dinë tanimë qëndrimin e kryeministrit Edi Rama se pa u ulur të dialogojnë nuk do t’u realizohen kërkesat, ata vijojnë të kërkojnë me këmbëngulje ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë.

Në protestën e ditës së premte, studentët kanë qenë më të reduktuar në numër

“Një pjesë e mirë mund të kenë ikur në rrethe, pasi është fundjavë”, thonë ata.


Studentët shprehen të bindur se nuk do të kthehen në auditore pa u plotësuar 9 kërkesat e tyre. Një pjesë e tyre janë në presionin edhe të mungesave të shumta që kanë bërë jo vetëm gjatë ditëve të protestës.

Ndërkohë që rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ka replikuar me një gjuhë të ashpër me kryeministrin Edi Rama. Në deklaratën e rektorit lihet të kuptohet se akuzat e kryeministrit të një dite më parë i drejtoheshin rektorit të Universitetit të Tiranës.

“Nëse për kryeministrin dhe qeverinë që ai drejton protesta e studentëve është një shuplakë, për mua është një shprehje e lirisë dhe demokracisë dhe si e tillë është një fitore”, shprehet Koni.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ramës: “Zoti rektor, unë e mëshiroj pafytyrësinë tuaj të dyfytyrtë dhe reagimin tuaj tipik për burrat rrëshqanorë. Sidoqoftë, unë shumë shpejt do të jem auditor më auditor, ku shpresoj të keni kurajon të m’i thoni në sy veshëgjatësitë e shkruara në reagimin tuaj”. /Top Channel/Telegrafi/