LAJMI I FUNDIT:

Paper Communications hap dyert për prodhuesit vendor, ofron shërbime pa pagesë

Paper Communications hap dyert për prodhuesit vendor, ofron shërbime pa pagesë

Edhe kompania vendore e njohur ndërkombëtarisht për ofrimin e shërbimeve të konsulencës dhe komunikimit për korporata të mëdha botërore, Paper Communications, i është bashkangjitur iniciativës për përkrahje të produkteve vendore duke ofruar shërbime falas të komunikimit për kompanitë prodhuese vendore.

Paper Communications do të ofrojë shërbime pa pagesë të përgatitjes së strategjive të komunikimit dhe penetrimit në tregje të ndryshme botërore për tre prodhues vendor.

“Për shkak të kohës së limituar, fatkeqësisht këtë shërbim mund t’a ofrojmë për një numër të ngushtë prodhuesish”, thotë Ilir Grapci, kryeshef ekzekutiv i kompanisë Paper Communications.

Paper Communications qëndron prapa një numri produktesh dhe kampanjash të suksesshme të prodhuesve vendor dhe kompanive të ndryshme në Kosovë.

“Me padurim presim kompanitë të aplikojnë në formën e krijuar enkas apo edhe të kontaktojnë kompaninë përmes emailit”, ka theksuar Grapci.

Momentalisht, Paper Communications ofron shërbime të specializuara të komunikimit për një numër kompanish në Kosovë dhe botë.

Kompania është e specializuar në marrëdhëniet me publikun, disejnimin dhe planifikimin e fushatave të marketingut, disejnimin e produkteve të marketingut, menaxhimin e rrezikut, organizimin e ngjarjeve, marketingun dixhital, zhvillim përmbajtjeje, menaxhimin medial, hulumtime tregu, planifikim strategjik, ndërtimin e storjeve, zhvillimin multimedial dhe të video reklamave.

“Ne do të krijojmë strategji komunikimi për kompanitë vendore prodhuese dhe do të kujdesemi për implementimin fillestar të tyre, pa pagesë”, thekson Grapci, pronar në kompaninë Paper Communications.

Kompania kishte bashkëpunuar me kompaninë Rugove, duke krijuar brendin dhe fushatat e marketingut të kësaj kompanie. Video reklama e punuar për Rugove, është ndër më të preferuarat e publikut në Kosovë.

“Për ta parafrazuar poetin dhe dramaturgun e njohur Gjerman, Bertolt Breht: të gjithë vrapojnë pas lumturisë, por duke mos e vërejtur që lumturia shpeshherë gjendet mu pas këmbës tënde. Paper Communications tash e shumë vite e ka vërejtur lumturinë e të punuarit me #ProdhimeVendore”, thuhet në faqen e kompanisë në Facebook. /Telegrafi/