LAJMI I FUNDIT:

BQK shënon Ditën Botërore të Kursimeve

BQK shënon Ditën Botërore të Kursimeve

Banka Qendrore e Kosovës për të tretin vit me radhë, ka organizuar Ditën Botërore të Kursimeve.

Pjesëmarrës në shënimin e kësaj dite kanë qenë nxënësit e shkollës fillore ‘Pavarësia’, nga Prishtina, të cilët kanë shfaqur aftësitë e tyre rreth mënyrave të kursimit të parave, ashtu edhe përmes vizatimeve të ndryshme.

Edukimi dhe ngritja e njohurive financiare, që nga themelimi i BQK-së, kanë pasur gjithmonë vend të rëndësishëm, rrjedhimisht në vazhdimësi janë ndërmarrë aktivitete dhe realizuar projekte të shumta edukative.


Këto aktivitete kanë pasur për target grupmosha të ndryshme, duke përfshirë studentë të universiteteve, nxënës të shkollave të mesme dhe nxënës të shkollave fillore.

Qëllimi i të gjitha këtyre aktiviteteve dhe projekteve është që BQK-ja të kontribuojë në ngritje të njohurive edukativo financiare.

“Menaxhimi dhe kursimi i parave sot mund të krahasohet edhe me menaxhimin, dhe kujdesin ndaj shëndetit ose me marrjen e ndonjë vendimi tjetër të madh të jetës. Është detyra jonë të kujdesemi që edukimi dhe informimi financiar të fillojë që nga mosha e re, duke qenë një investim afatgjatë për shoqërinë dhe për vendin në tërësi. Në bazë të përvojës, e dimë që secili prej nesh gjendet në një situatë që duhet të bëjë përzgjedhjen dhe të marrë vendim se si do t’i shpenzojmë paratë, dhe kjo nuk është e lehtë sepse gjithmonë keni nevoja dhe dëshira të pafundme.Fitimi i parave mund të jetë i lehtë, por përdorimi i parave në mënyrë të drejtë dhe kursimi i tyre për të ardhmen është shumë i vështirë”, ka thënë para nxënësve, Shkendije Himaj, koordinatore për Funksione të Përgjithshme në BQK.

Ajo ka inkurajuar të gjithë nxënësit që në vazhdimësi të lexojnë për paratë, për kursimet, për financat personale dhe të mos hezitojnë të kontaktojnë BQK-në për të qenë pjesë e aktiviteteve dhe projekteve të ndërmarra gjatë vitit, si dhe të jenë sa më shumë të informuar rreth menaxhimit të parasë në mënyrë që kur të ballafaqohen me sfidat financiare të jenë të aftë të marrin vendime të duhura.

Dita Botërore e Kursimeve nga viti 1924 shënohet në mbarë botën nga shumica e institucioneve financiare.

Në këtë datë institucione të ndryshme organizojnë aktivitete që për synim e kanë ngritjen dhe vetëdijes mbi rolin dhe rëndësinë e kursimeve. /Telegrafi/