LAJMI I FUNDIT:

Ivanov: Me Marrëveshjen e Prespës, politikanët do t’i censurojnë librat dhe historinë

Ivanov: Me Marrëveshjen e Prespës, politikanët do t’i censurojnë librat dhe historinë

“Me marrëveshjen e Prespës, aktivitetet akademike dhe arsimore do t’i udhëheqin politikanët, diplomatët dhe burokratët të cilët do të censurojnë librat që ju i shkruani ose i përktheni”, tha sot presidenti Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij para profesorëve dhe historianëve në hapjen solemne të Konferencës së parë kombëtare për bizantin dhe mesjetën “Shteti Samoilit – 1000 vjet më vonë (1018-2018)”.

Ai tha se shteti i Samoilit para një mileniumi është ballafaquar me probleme të ngjashme me shtetin e sotëm të Maqedonisë.

“Pengesat me mohim, mosnjohje, tentim për bllokadë, izolim dhe emërim të gabuar. Prej nesh varet nëse do ta ruajmë lirinë akademike ose gjeneratave të reja do t’u lëmë izolim dhe histori të falsifikuar”, tha Ivanov.


Sipas Ivanovit, Maqedonia e sotme është një fidan që ka origjinën nga rrënja e shtetit të Samoilit.

Ai shtoi se me marrëveshjen e Prespës mohohet e drejta për vetëvendosje, e drejta për liri të mendimit dhe shprehjes, të cilat janë të garantuara me Deklaratën universale për të drejtat e njeriut./Telegrafi/