LAJMI I FUNDIT:

Sot merret vendimi kundër Jankulloskës në lëndën “Tanku”

Sot merret vendimi kundër Jankulloskës në lëndën “Tanku”

Në Gjykatën Penale sot duhet të shqiptohet aktgjykimi për procedurën e ndarë kundër Gordana Jankulloskën për lëndën “Tanku”.

Prokuroria, në fjalën e fundit kërkoi që Gjykata ta shpallë Jankulloskën fajtore për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, si dhe të obligohet t’i kthejë shpenzimet së bashku me Popovskin dhe Gruevskin në vlerë prej 313 mijë denarëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Prokurorja Fatime Fetai në fjalën përmbyllëse theksoi, se nga dëshmitë e dhëna qartë shihet se Jankulloska e ka nxitur Poposkin të furnizojë automjet të blinduar për MPB-në dhe ajo t’i jepet në shfrytëzim ish-kryeministrit Gruevski.


Mbrojtja, në fjalën përmbyllëse, tha se në procedurë është shkelur ashpër parimi i “barazisë së armëve”. Sipas avokatëve mbrojtës, PSP-ja nuk e ka dëshmuar kompetencën e saj, si dhe se Gjykata duhet të sjell aktgjykim për veprim që gjoja ka ndodhur para gjashtë viteve në bazë të dëshmive të cilat në pjesë të madhe janë furnizuar me shkeljen e të drejtave vendore dhe ndërkombëtare.

E akuzuara Gordana Jankulloska në fjalën përmbyllëse, tha se “derisa ka zgjatur procedura ajo është dashur të kujdeset për foshnjën disamuajshe, si dhe se ishte e ekspozuar në linçimin medial me publikimin e disa pjesëve të audio bisedimeve të marra në mënyrë të paligjshme”.

Gjykimi për Jankulloskën filloi në fund të muajit gusht të këtij viti, pasi e pandehura kishte lindur. Ajo është gjykuar ndaras nga të akuzuarit tjerë në këtë lëndë, pasi Gjykata e pranoi kërkesën e avokatëve për pushim mjekësor për shkak të shtatzënisë së saj.

Në rastin “Tanku” tani më janë dënuar ish-kryeministri Nikolla Gruevski në dy vjet burgim dhe ish-ndihmës ministri në MPB, Gjoko Popovski më gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim, për furnizimin e automjetet të blinduar “Mercedes C600” në vlerë prej 600 mijë eurove./Telegrafi/