LAJMI I FUNDIT:

Partitë parlamentare vazhdojnë aktivitetet për të bindur qytetarët për referendumin e 30 shtatorit

Partitë parlamentare vazhdojnë aktivitetet për të bindur qytetarët për referendumin e 30 shtatorit

Partitë politike parlamentare të cilat janë shprehur se do të mbështesin marrëveshjen me Greqinë në referendumin e 30 shtatorit, gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës.

Telegrafi Maqedoni ju sjell të përmbledhura aktivitetet e partive, të cilat dje kanë mbajtur takime me qytetarët.

Partia shqiptare në pushtet BDI, në vazhdën e aktiviteteve në kuadër të fushatës për referendumin ka qëndruar në Komunën e Bërvenicës. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti u shpreh se duhet qëndruar larg politikave të ndikuara nga lindja sepse historikisht ky popull i ka takuar kulturës perëndimore.


“Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një referendum i cili do të mbahet me 30 shtator, por kemi të bëjmë me plane strategjike, gjeo-politike, gjeo-ushtarake prandaj me 30 shtator vendoset e vuloset historia më e re e Republikës së Maqedonisë se a do ti takojmë bllokut për të cilin jemi angazhuar tash e 17 vite, duke qenë njëherit përcaktim filozofik dhe historik që ne të rreshtohemi pranë vendeve anëtare të NATO-së. Një mision tjetër historik është që ky vend të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Me 30 shtator vendoset e ardhmja e këtij vendi, vendoset për brezat e ardhshëm të këtij vendi. Kemi përgjegjësi historike që të gjithë ne bashkë”, tha Ali Ahmeti.

LSDM-ja dje fushatën për referendumin e ka vazhduar në Strugë, prej ku kryetari i kësaj partie Zoran Zaev, tha se me anëtarësimin në NATO, Maqedonia do të fitojë paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet ekonomik.

“Duhet ta dijnë të gjitha nënat dhe baballarët se me anëtarësimin në NATO do të kemi paqe të përhershme. Asnjëherë nuk do të ketë luftë në Maqedoni. Nipërit dhe fëmijët tanë nuk do të jenë në luftë, pasi neni 5 i NATO-s thotë se nëse një vend anëtarë sulmohet, atëherë janë sulmuar të gjitha vendet e NATO-s”, tha mes tjeras Zaev.

RDK në kuadër të fushatës ka organizuar takim me studentët e Gostivarit, që siç thonë, t’i informojnë rreth rëndësisë së referendumit.

Kryetari i RDK-së dhe njëherit edhe nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Vesel Memedi, theksoi se studentët dhe rinia në përgjithësi, kanë pasur rol vendimtarë në zgjedhjen e ish-presidentit të SHBA-ve Barack Obama, kryeministrit të Indisë Narendra Modi, si dhe së fundmi në lëvizjen franceze En Marche, kur u bë zgjedhja spektakulare e presidentit francez Emanuel Makron. Ai tha se edhe studentët në Maqedoni do të kenë rol të rëndësishëm në rezultatin e referendumit./Telegrafi/