LAJMI I FUNDIT:

Imami i xhamisë dyshohet për kërcënimin e familjes së presidentit Thaçi

Imami i xhamisë dyshohet për kërcënimin e familjes së presidentit Thaçi

(E plotësuar) Imami i xhamisë dyshohet për kërcënimin ndaj familjes së Presidentit Hashim Thaçi.

KALLXO.com shkruan se ka siguruar një vendim të gjykatës ku ofrohen detaje për identitetin dhe pozitën e personit i cili u arrestua për kërcënimin e familjes së presidentit Hashim Thaçi.

Sipas këtij vendimi, i dyshuari është Asllan Bajraktari, imam i xhamisë në Jashanicë.


Bajraktari në vendimin e siguruar ka mohuar të ketë kryer veprën e cila i vihet në barrë.

————————————————————————–

Kërcënohet familja e presidentit Thaçi, shkak “ndarja e një subvencioni në bujqësi”!

Një person nga fshati Jabllanicë i Klinës është arrestuar para dy ditësh me dyshimin se ka kërcënuar familjen e presidentit në fshatin Burojë të Skenderajt.

Sipas burimeve të KALLXO.com, fshatari i Jabllanicës ka shkuar në shtëpinë e familjes ku ka kërcënuar familjarët.

Arsyeja e kërcënimit sipas burimeve është pakënaqësia e qytetarit me ndarjen e një subvencioni në bujqësi.

Lajmi është konfirmuar edhe nga prokurorja Fikrie Sylejmani, e cila është duke e hetuar rastin.

“Vëllai i presidentit është ankuar për kërcënim”, ka thënë prokurorja.

Ajo ka shtuar se motivi i kërcënimit është pakënaqësia që personi i dyshuar e kishte rreth një granti.

“Personi është arrestuar dhe unë kam kërkuar paraburgim për të”, ka thënë prokurorja Sylejmani.

Ajo ka thënë se për momentin nuk mund të japë më shumë detaje.

Ndërkaq Avni Zaiti, zëdhënës i Policisë në Mitrovicë, ka thënë se një person është ankuar në stacionin policor të Skenderajt për kërcënim.

Sipas Zahitit, Policia ka arrestuar personin e dyshuar dhe është duke i zhvilluar hetimet.

Duhet kujtuar se presidenti i vendit nuk ka në kompetencën e tij ndarjen e subvencioneve në bujqësi.