LAJMI I FUNDIT:

Në Golem shpëtohen dy persona nga mbytja

Në Golem shpëtohen dy persona nga mbytja

Dy persona kanë shpëtuar për mrekulli nga mbytja ditën e sotme në plazhin e Golemit. Mediat në Shqipëri raportojnë se një 14-vjeçar ishte futur për t’u larë, por mbeti mes dallgëve dhe rrezikoi që të mbytej, ndërkohë që për ta shpëtuar shkoi kushëriri i tij 44-vjeç me kamerdare.

Por të dy rrezikuan mbytjen, ndërsa në ndihmë të tyre shkoi një person i tretë duke i shpëtuar.


Fillimisht nga deti u nxor 44-vjeçari, ndërsa më pas personi i tretë që hyri për t’i shpëtuar nxori 14-vjeçarin A. Gllava, me shumë vështirësi deri në mol. Fatmirësisht 14-vjeçari nuk ishte shumë larg bregut duke u shpëtuar. 44-vjeçari shprehet se hyri për të shpëtuar djalin e vogël dhe ka rrezikuar të mbytet edhe vetë.

Mediat në Shqipëri kanë mësuar se dy personat janë dërguar në spitalin e Kavajës ku kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë larguar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të ditës së sotme pranë një resorti.

Të tre personat, dy kushërinjtë, por edhe personi i tretë që hyri për t’i shpëtuar janë nga Berati. Ndërkohë që në Golem mungojnë rojet e plazhit, por edhe flamujt e kuq dhe kufizuesit me litar për të respektuar thellësinë.