LAJMI I FUNDIT:

Hoxha: BE-ja t’i heqë vizat për Kosovën

Hoxha: BE-ja t’i heqë vizat për Kosovën

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka kërkuar mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë për liberalizimin e vizave për Kosovën duke qenë se MPB është pjesë e procesit të vendimmarrjes.

“Ajo gjatë një vizite zyrtare në Gjermani, u prit në takim nga Stephan Mayer, sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me të cilin bisedoi për reformat e ndërmarra dhe kushtet e plotësuara për liberalizimin e vizave.

Me këtë rast, ministrja Hoxha tha se kushtet janë përmbushur dhe qytetarët e Kosovës presin që BE-ja të njohë të arriturat dhe të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin për media.


Ajo e njoftoi zyrtarin gjerman për reformat e ndërmarra në fushën e migracionit, me theks të veçantë në reformat legjislative të cilat fuqizojnë kontrollin e kufijve dhe politikat ndaj të huajve dhe azilit.

“Kosova nuk paraqet rrezik sa i përket migracionit ilegal, sepse kemi gjithë infrastrukturën e duhur ligjore dhe institucionale”, tha ajo.

Sekretari i Shtetit Mayer përgëzoi ministren Hoxha për reformat e ndërmarra dhe e siguroi se Gjermania vazhdon të përkrahë Kosovën në procesin integrues siç e ka përkrahur edhe në procese të tjera. /Telegrafi/