LAJMI I FUNDIT:

Admirali Foggo interesohet për profesionalizimin e FSK-së

Admirali Foggo interesohet për profesionalizimin e FSK-së

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama së bashku me komandanten e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, gjeneral brigade Irfete Spahiu, në kazermën “Skënderbeu’’ në Ferizaj, pritën në vizitë, komandantin Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate për Evropë në Napoli, admiralin James G. Foggo, i cili shoqërohej nga komandanti i KFOR-it, gjeneral major, Salvatore Cuoci.

Në takimin e përbashkët të gjeneral Ramës, gjeneral Spahiut dhe admiralit Foggo u bisedua për misionin, detyrat dhe të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, zhvillimin dhe profesionalizimin, bashkëpunimet me institucionet tjera partnere si në rajon, ashtu edhe me partnerët strategjik, si dhe për objektivat për zhvillimin dhe avancimin e kësaj force në të ardhmen si një institucion i të gjithë qytetarëve, në dobi dhe interes të vendit tonë dhe partner i besueshëm i shteteve mike të Kosovës.

Gjenerali amerikan u njoftua gjithashtu edhe për misionin dhe detyrat e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, si institucion i cili trajnon, shkollon dhe stërvit pjesëtarët e FSK-së, për shërbim në detyra specifike në njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe zhvillimin dhe profesionalizmin e pjesëtarëve tanë të cilët në institucione shkollore, trajnuese dhe garuese ndërkombëtare po tregojnë rezultate të shkëlqyera.


Sipas një komunikate të MFSK-së, për admiralin Foogo, në pjesën e dytë të vizitës u paraqit një material informues, ku u prezantua struktura, organizimin dhe të arriturat e KDS-së, me theks të veçantë stërvitjet në qendrat stërvitore dhe përgatitja e pjesëtarëve të FSK-së për të ardhmen e tyre profesionale.