LAJMI I FUNDIT:

Kërkojnë pavarësinë nga Spanja, baskët formojnë një zinxhir njerëzor 200 kilometra

Kërkojnë pavarësinë nga Spanja, baskët formojnë një zinxhir njerëzor 200 kilometra

Rreth 175 mijë njerëz morën pjesë në zinxhirin njerëzor të organizuar nga rajonet baske për të kërkuar një referendum mbi shkëputjen nga Spanja.

Nisma ka arritur shifra rekord, duke pasur parasysh se “gjarpri” ka tejkaluar 200 kilometra gjatësi mes San Sebastian, Bilbao dhe Vitoria.

Përveç separatistëve baskë, një grup i madh aktivistësh katalanas morën pjesë në demonstratën e promovuar nga shoqata Gure Esku Dago.


Ngjashëm me situatën në Katalonjë, përcjell BW, qeveria spanjolle ka deklaruar se çdo referendum do të ishte i paligjshëm.

Neni 2 i Kushtetutës spanjolle flet për unitetin e pandryshueshëm të kombit spanjoll, dhe një përpjekje për mbajtjen e referendumit për pavarësi në Katalonjë, vitin e shkuar, u pasua nga një reagim i ashpër i qeverisë qendrore, e cila mori në duar kontrollin e rajonit.

Ish-kryeministri Mariano Rahoi, që më herët është kritikuar për mënyrën se si e menaxhoi krizën katalane, u rrëzua nga posti pas një mocioni mosbesimi në parlament më 1 qershor.