LAJMI I FUNDIT:

Kushtetuesja shpall të pavlefshëm vendimin e Supremes, rasti i dënimit të vëllezërve Demaku kthehet në rishqyrtim

Kushtetuesja shpall të pavlefshëm vendimin e Supremes, rasti i dënimit të vëllezërve Demaku kthehet në rishqyrtim

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se në rastin e ankesës për dënim  për krime lufte të Isni Thaçit, Zeqir Demakut, Fadil Demakut, Nexhat Demakut dhe Jahir Demakut, Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme kishin shkelur të drejtën e parashkruesve të kërkesës për një vendim të arsyetuar, dhe me këtë kishte shkelur të drejtën e parashtruesve të kërkesës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.

Avokati, Artan Qerkini, ka thënë për Telegrafin se, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që në rastin e njohur, si “Rasti Drenica”, ka pasur shkelje të parimit, të gjykimit të drejt dhe të paanshëm.

“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që në rastin e njohur, si “Rasti Drenica”, ka pasur shkelje të parimit, të gjykimit të drejt dhe të paanshëm, për faktin se Gjykata Supreme nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme , se pse e konsideron  panelin gjyqësor të formuar nga EULEXI,  si panel të themeluar në përputhje me ligjin  marrë parasysh faktin se pretendimet  tona të vazhdueshme kanë qenë se ky panel gjyqësor nuk është themeluar në përputhje me rregulloren e brendshme të EULEX-it”, ka thënë Qerkini për Telegrafin.


Qerkini ka theksuar se Gjykata Supreme nuk ka dhënë arsye për këto fakte vendimtare se pse e konsideron panelin e EULEXIT, si panel  të themeluar sipas ligjit, dhe për këtë arsye sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që lenden të ia kthejë Gjykatës Supreme, për ta arsyetuar më mirë.

“Dihet se për të qenë një proces gjyqësor  në harmoni me standardet kushtetuese, dhe standardeve të Strasburgut  çështja gjyqësore duhet të gjykohet nga një gjykatë e themeluar sipas ligjit dhe një gjykatë e paanshme”, ka thënë Avokati.

Sipas vendimit të Kushtetueses,  “në pajtim me rregullin 74 (1) të Rregullores së punës, Aktgjykimi i Gjykatës Supreme PML. KZZ. nr. 322/2016 i 19 korrikut 2017, shpallet i pavlefshëm dhe çështja i kthehet Gjykatës Supreme për rishqyrtim”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2017, Gjykata Supreme e Kosovës e kishte konfirmuar dënimin e dy viteve më parë për dënimin e Grupit Drenica 1 dhe 2.

Ish-kryetarit të Drenasit, Nexhat Demakut i ishte konfirmuar dënimi me 3 vjet burgim, aq sa ishte edhe dënimi i ish-deputetit Fadil Demaku.

Dënimet i ishin vërtetuar edhe për Isni Thaçin, Zeqir Demakun dhe Jahir Demakun të dënuar me nga 6 vjet burgim.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Rastet nr. KI146/17, KI147/17, KI148/17, KI149/17 dhe KI150/17, Parashtrues: Isni Thaçi, Zeqir Demaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, dhe Jahir Demaku, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. KZZ. nr. 322/2016 të 19 korrikut 2017

KI146/17, KI147/17, KI148/17, KI149/17 dhe KI150/17, Aktgjykim i 30 majit 2018, publikuar më 8 qershor 2018

Parashtruesit e kërkesës u shpallën fajtorë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë (Aktgjykimi P58/14) për kryerjen e veprave penale të sanksionuara me nenin 152 [Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të Përbashkët me Konventat e Gjenevës] në lidhje me nenin 31 [Bashkëkryerja] të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Parashtruesit parashtruan ankesë kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore duke kontestuar, ndër të tjera, përbërjen e trupit gjykues të Gjykatës Themelore dhe dëshmitë e dëshmitarëve ekspertë. Gjykata e Apelit, (Aktgjykimi PAKR nr. 456/15), i refuzoi ankesat e palëve dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesit e kërkesës parashtruan kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë – kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit – në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke pretenduar, ndër të tjera, se trupi gjykues i Gjykatës Themelore ishte përbërë në kundërshtim me rregullat e aplikueshme për caktimin e gjyqtarëve në trupat gjykues.

Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë u refuzua nga Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit Pml. KZZ. nr. 322/2016, si e pabazuar. Gjykata Supreme arsyetoi vendimin e saj lidhur me pretendimet e parashtruesve për shkelje të rregullave për caktimin e gjyqtarëve në trupat gjykues, duke theksuar se, bazuar në Udhëzimin e EULEX-it, kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it ka liri të plotë për t’i caktuar gjyqtarët në kolegje, pavarësisht ndonjë rregulli të veçantë të përmbajtur në Udhëzim. Gjykata Supreme, vlerësoi se edhe nëse ka pasur shkelje të rregullores së brendshme të EULEX-it atëherë do të ishte çështje e diskrecionit brenda autoriteteve administrative/disiplinore të EULEX-it.

Parashtruesit e kërkesës pretenduan në Gjykatën Kushtetuese, se duke refuzuar kërkesën e tyre për mbrojtjen e ligjshmërisë si të pabazuar, Gjykata Supreme kishte shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë drejtim, ata pretenduan se Gjykata Supreme nuk e trajtoi siç duhet çështjen e caktimit të gjyqtarëve në trupin gjykues të Gjykatës Themelore, sepse ai ishte bërë në kundërshtim me rregullat për caktimin e gjyqtarëve në trupat gjykues.

Në trajtimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës në lidhje me përbërjen e trupit gjykues të Gjykatës Themelore, Gjykata Kushtetuese vërejti se sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut, e drejta për një gjykim të drejtë përfshin të drejtën për një vendim të arsyetuar. Lidhur me këtë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se arsyetimi i Gjykatës Supreme, gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve në lidhje me caktimin e gjyqtarëve në trupin gjykues të Gjykatës Themelore, kryesisht ishte i kufizuar në shkelje të mundshme të KPP-së dhe nuk ka marrë parasysh normat e tjera relevante të aplikueshme për caktimin e gjyqtarëve në trupat gjykues, përkatësisht parimet e parapara me Ligjin nr. 03/l-053 mbi Kompetencat, Përzgjedhjen e Lёndёve dhe Caktimin e Lёndёve tё Gjyqtarëve dhe Prokurorëve tё EULEX-it nё Kosovë dhe të legjislacionit që rrjedh prej tij. Gjykata Kushtetuese gjithashtu vlerësoi se, sipas praktikës së saj gjyqësore, të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë edhe gjyqtarët e EULEX-it, kanë obligim të zbatojnë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht, legjislacionin që rrjedh prej tij.

Prandaj, Gjykata Kushtetuese konstatoi se duke mos dhënë një vlerësim dhe justifikim të plotë lidhur me atë se a është zbatuar e tërë korniza e dispozitave të zbatueshme ligjore, duke përfshi edhe parimin e kritereve objektive të paracaktuara dhe të masave siguruese procedurale, në lidhje me caktimin e gjyqtarëve në trupin gjykues në rastin e parashtruesve të kërkesës në Gjykatën Themelore, Gjykata Supreme (Aktgjykimi PML. KZZ. nr. 322/2016 i 19 korrikut 2017), kishte shkelur të drejtën e parashtruesve të kërkesës për një vendim të arsyetuar, dhe me këtë kishte shkelur të drejtën e parashtruesve të kërkesës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.

Prandaj, në pajtim me rregullin 74 (1) të Rregullores së punës, Aktgjykimi i Gjykatës Supreme PML. KZZ. nr. 322/2016 i 19 korrikut 2017, shpallet i pavlefshëm dhe çështja i kthehet Gjykatës Supreme për rishqyrtim.

Parashtruesit:

Isni Thaçi, Zeqir Demaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, dhe Jahir Demaku. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Kalo në kategori