LAJMI I FUNDIT:

Deklarata e Sofjes, mbështetje për rajonin

Deklarata e Sofjes, mbështetje për rajonin

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare të BE, në konsultim me partnerët nga Ballkani Perëndimor, sot miratuan Deklaratën e Sofjes në 17 pika.

Aty përsëritet mbështetja e qartë ndaj perspektivës evropiane të rajonit dhe përvijohen detyrat dhe parimet që palët duhet të përmbushin gjatë procesit të integrimeve evropiane, transmeton KosovaPress.

Është miratuar edhe aneksi i Deklaratës në lidhje me forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.


“BE mirëpret angazhimin e përbashkët të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vlerat dhe parimet evropiane të Evropës stabile dhe të bashkuar, të mbështetur nga lidhjet tona historike, kulturore dhe gjeografike dhe interesat tona të përbashkëta politike, të sigurisë dhe ekonomike”, thuhet në pikën e parë të këtij dokumenti. Duke rikujtuar samitin e Selanikut të vitit 2003, BE përsërit mbështetjen e vet të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Bazuar në progresin që është bërë, partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmojnë angazhimin e tyre ndaj perspektivës evropiane si zgjedhje të fortë strategjike dhe intensifikojnë përpjekjet e tyre dhe mbështetjen e ndërsjellë. Besueshmëria e këtyre përpjekjeve varet nga informata të qarta nga publiku,” thuhet në Deklaratë.

Po ashtu, thuhet se BE është e vendosur të forcojë dhe intensifikojë angazhimin në të gjitha nivelet për të mbështetur transformimet politike, ekonomike dhe shoqërore të rajonit, duke përfshirë ndihmën në rritje, në bazë të përparimit të bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave socio-ekonomike.

“BE mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në sundimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjen e mirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave”, thuhet më tej në Deklaratë, duke shtuar se po ashtu zbatimi efektiv i reformave bazohet në këto çështje, dhe se shoqëria civile dhe mediat e pavarura luajnë një rol kyç në procesin e demokratizimit.

BE mbështet përkushtimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë me vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin reciprok.

“Kjo përfshin, në veçanti, gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjeve definitive, gjithëpërfshirëse dhe detyruese ndaj mosmarrëveshjeve të tyre dypalëshe, të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, si dhe përpjekje të mëtejshme për pajtim”, thuhet ndër tjera në Deklaratë. /KP/