LAJMI I FUNDIT:

Patriarku rus mbërrin në Shqipëri, blindohet Tirana

Patriarku rus mbërrin në Shqipëri, blindohet Tirana

Nën masa të forta sigurie ka mbërritur në Shqipëri Patriarku i Kishës Ortodokse ruse, Kirili.

I shoqëruar nga Kryepeshkopi Anastas dhe përfaqësues të Ambasadës Ruse në Tiranë, ndalesa e parë e Patriarkut ishte Katedralja “Ngjallja e Krishtit”.

“Shpresoj se me mëshirën e Zotit në fund të këtij muaji do të realizohet vizita ime zyrtare në Shqipëri. Do te jetë vizita e parë në histori e primatit të Kishës Ortodokse Ruse në Kishën Ortodokse të Shqipërisë, e cila po përjeton sot periudhën e ri ngritjes pas asgjësimit të plotë të fesë, të çdo simboli fetar dhe çdo shprehjeje të ndjenjës fetare si pasojë e persekutimeve më të ashpra ndaj kishës në këtë vend në shekullin XX”, ishte deklarata e shpërndarë nga Patriarku rus në momentin e njoftimit të vizitës në Tiranë, transmeton tch.


Sekretari i tij i shtypit, Alexander Volkov sqaroi se vizita bëhet me ftesë të kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastasi.

Të dy kishat kanë ruajtur mes tyre prej dekadash të tëra marrëdhënie tejet të mira, e kjo i atribuohet, sipas Volkovit edhe eksperiencave të ngjashme të persekutimit anti-kishtar gjatë shekullit të 20-të.

Aktualisht, dy kishat ndajnë pozicione të përbashkëta në raport me sfidat e ditëve tona, vazhdon mesazhi i tij, duke shtuar se është i kënaqur që sheh rigjallërimin e jetës fetare në Shqipëri, e kjo siç thotë, sjell padyshim fryte për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Kreu i patriarkanës ruse dhe kryepeshkopi Anastas do të mbajnë një liturgji në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve të të dyja kishave.

Pas kësaj do të ketë një drekë zyrtare e pasdite, një shfaqje festive në qendrën kulturore të kishës.

Të hënën, Patriarku Kiril planifikon të vizitojë Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse në Shën Vlash të Durrësit, i konsideruar si institucioni kyç i edukimit fetar në vend.

Ai pritet të takohet gjithashtu edhe me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të tjerë të lartë shtetërorë.