LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i nënës që serbët ia morën tre djemtë në sofër

Rrëfimi i nënës që serbët ia morën tre djemtë në sofër

Gustin, Mikel dhe Fran Duzhmani janë tre vëllezërit të cilët patën data të lindjes të ndryshme, por të përbashkët e kanë datën e vdekjes.

Më 27 prill serbët ata i morën në shtëpi, derisa nëna e tyre kishte shtruar sofrën për të ngrënë bukë.

Nëna e tyre e cila e ka peng se tre djemtë shkuan pa e ngrënë bukën që ua kishte gatuar pesë vjet nuk ka ditur për  fatin e tyre. Pas pesë vitesh ata u gjendën në një varrezë masive dhe eshtrat e tyre tash prehen në fshatin Mejë të Gjakovës.


Në këtë fshat, i cili që nga 27 prilli i vitit 1999 ka hyrë në historinë më të re të shqiptarëve prehen eshtrat e 376 martirëve, myslimanë dhe të krishterë por të gjithë shqiptarë.

Nëna e vëllezërve Duzhmani, Roza kujton me lot në sy për ditën kur policia serbe ia rrëmbeu djemtë e saj dhe nuk ia ktheu më.

Dhimbja e saj thotë të jetë më e madhe se nuk arritën ta hanë bukën që ua kishte gatuar.

“Më datë 27 prill, na nuk kemi ditë asgjë, kemi qenë ka hamë, veç kur na kanë hyrë 7 a 8. Edhe tre djemtë m’i kanë marrë e na thanë mbas tri orësh i kthejmë. A ka ma vështirë oj motër, se me t’i marrë djemtë pa ngrënë e pa pirë. Nana po u dashke me jetu. I kam 8 nipa. Njëri ka qenë arsimtar. Ma zor nuk ka qysh me qenë”, thotë ajo mes lotësh.

Dhuzhmani  rrëfen sa e vështirë ishte dita kur e morën lajmin për bijtë e tyre, të cilët ishin masakruar aq keq sa që kishte qenë shumë e vështirë edhe të identifikoheshin.

“Ka shku baba i vet me i marrë e ka mbetur edhe vet. ‘Çka paskan pas bë’ tha, ‘veç do eshtra tha ishin, veç mirë që po i njoh teshat’.  Të voglin nuk e kishin pas prish se e kishin shti serbët në frigorifer e më pak ishte prishë”, rrëfen ajo.

Në Mejë pranë e pranë i kanë varret Bujar Shehu dhe Milan Marku, njëri mysliman e tjetri katolik

Meja është vendi i martirëve, familjarët e të cilëve kishin vendosur që t’i varrosnin së bashku më të dashurit e tyre në mënyrë që Kompleksi Memorial i Mejës të jetë pritë e përjetshme e pamposhtur për Serbinë.

Për të dëshmuar unitetin e shqiptarëve pavarësisht përkatësisë fetare dhe për të mos e ndarë nga shokët e rënë të birin e tyre Bujarin, familja Shehu nga Juniku, kishte vendosur që trupin e tij ta lenin të prehej në Mejë.

Kështu nëna e Bujarit, Gjylë Shehu, çdo vit vjen nga Juniku në Mejë të Gjakovës për të nderuar kujtimin për të birin e rënë në lulen e rinisë, pak pa i mbushur 18 vjet.

Ajo mes lotësh kujton ditën kur ushtria serbe ia mori të birin, për të cilin tregon se e kishin pritur për 6 muaj rresht me shpresën se do të kthehej.

Sado që mes pikëllimit të familjarëve për të rënët e më të dashurve të tyre ka dhe ndjenja krenarie për veprat madhështore të tyre, nëna Gjylë tregon se si i shoqi nuk kishte mundur t’i bënte ballë mërzisë, duke e lënë familjen 6 muaj pas varrosjes së të birit.

“Atë ditë, valla ma kiamet nuk ka. Qashtu më. Veç kur ma kanë marrë e di. U tmerruam të tërë. U nisëm për Gjakovë, na ndalën këtu në Mejë, prit se po dalin, nuk dolën. Kur u kthyem nuk e gjetëm. Pas 6 muajsh e varrosëm”, kujton ajo.

Megjithëse përvjetorët e rënies së dëshmorëve janë të përvitshme, për familjarët këto ditë mbesin plot emocion, ashtu sikurse të kishte ndodhur sot.

Të tillë e kujton atë ditë Marian Marku, vëllai i martirit Milan Marku, i cili thotë se megjithatë është fat që të rënët janë varrosur së bashku, duke mos u ndarë nga shokët e luftës, të krishterë e myslimanë.

“Njëjtë sikur atë ditë. Është e njëjta gjendje. Njerëz të vrarë pa kurrfarë  faji, vetëm pse kanë qenë shqiptarë. Fati më i madh është se siç janë vrarë bashkë edhe janë varrosur, të krishterë e muhamedanë, se shqiptarët janë vrarë ndër shekuj, por nuk janë varrosur në një vend”, u shpreh ai.

Ushtria serbe nuk kishte zgjedhur mjet e as metodë për eliminimin dhe ekzekutimin e shqiptarëve, duke marrë peng e masakruar shumë të rinj, pleq, fëmijë e gra. Madje duke masakruar edhe familje.

Me çmim shumë të madh e kishte paguar lirinë edhe familja Prelaj, me 9 djem e burra të vrarë e të masakruar në luftën e fundit në Kosovë.

Ata ishin marrë peng mëngjesin e 27 prillit nga ushtria serbe, duke mos i kthyer më kurrë.

Pal Prelaj rrëfen se sa e vështirë ishte gjithë ajo periudhë pritjeje për fatin e më të dashurve të tyre, duke mos i gjetur trupat e tyre tek në vitin 2003.

“Në 99-ën, në mëngjes të asaj dite kanë hy forcat e Serbisë, policë e ushtarë serb, dhe kanë bërë masakra siç edhe po shihet. I kanë marrë djemtë, i kanë bashkuar, i kanë çu te pompa. Disa i kanë vra nëpër shtëpi e disa ku kanë mundur… Trupat e Sokolit dhe të tyre i kemi gjet kur kanë filluar kufomat me ardh, se i kanë varrosur këtu e i kanë zhvarrosur për t’i dërguar në Batanicë”, tregoi ai.

Sikur të mos mjaftonte kjo, familjet shqiptare ende përballen me barrën më të rëndë për më të dashurit e tyre, duke mos ditur ende për mbi 1600 të pagjetur.

Meja është vendi ku loti dhe pikëllimi bashkohen për të krijuar një qëndresë, pritën e pamposhtur për Serbi, me 376 martirë shqiptarë, myslimanë e të krishterë.