LAJMI I FUNDIT:

Në maj pritet rifillimi i punimeve për zgjerimin e rrugës në ‘Veternik’

Në maj pritet rifillimi i punimeve për zgjerimin e rrugës në ‘Veternik’

As shumat milionëshe të investuara për zgjerimin e rrugës nacionale “N2” në lagjen “Veternik” në hyrje të Prishtinës nuk po arrijnë ta mbajnë të sigurt atë pjesë për kalimtarët dhe vozitësit e automjeteve. Punimet në këtë rrugë u shoqëruan me rrëshqitje të dheut gjatë kohës sa kompania “Benicom” po i vazhdonte punimet.

Skender Canolli, menaxher i projektit, në një përgjigje me shkrim për “Zërin” ka bërë të ditur se tenderi për zgjerimin e rrugës nacionale “N2” në “Veternik” ka qenë i ndarë në dy lote.

Për t’i kryer punimet në “Lot 1” është përzgjedhur kompania NNT “Sallahu”, Kaçanik. Ndërsa vlera e tenderit ka qenë 1 milion e 600 mijë e 166.65 euro.


Por, rrëshqitja e murit mbrojtës sipas menaxherit të projektit ka ndodhur në pjesën e dytë të kontratës, vlera e së cilës ka qenë 1 milion e 374 mijë e 516.70 euro.

Rrëshqitja e murit mbrojtës ka ndodhur në ‘Lot 2’. Aty nuk kanë përfunduar punimet”, thuhet në përgjigjen e menaxherit të projektit.

Skender Canolli ka bërë të ditur se punimet do të vazhdojnë sapo të përmirësohet moti dhe do të merret një vendim për mënyrën sesi do të vazhdojë puna më tutje, ndonëse kishte pasur zotime se punimet në njërën prej këtyre akseve do të përfundonin pesë muaj më parë. /Zëri/Telegrafi/