LAJMI I FUNDIT:

Mësime nga lufta e Irakut, 15 vjet më vonë – Analiza e Javier Solanës

Mësime nga lufta e Irakut, 15 vjet më vonë – Analiza e Javier Solanës

Kanë kaluar fiks 15 vite, që nga fillimi i një prej episodeve më fatkeqë të fillimshekullit 21: Lufta e Irakut. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, gazeta franceze “Le Monde” bëri shpalljen e famshme: “Nous sommes tous Américains” (“Ne jemi të gjithë amerikanë”), dhe madje parashikoi që Rusia do të bëhej aleati kryesor i Amerikës. Por pushtimi i Irakut nga Presidenti i SHBA, George W. Bush në vitin 2003, i bëri copë e çikë ato shpresa.

Tani ne e dimë se lufta, përveçse ka shkaktuar shumë prej telasheve aktuale në Lindjen e Mesme, shënoi fillimin e fundit të hegjemonisë amerikane të pas Luftës së Ftohtë. Dimë gjithashtu se, ndonëse u shit si pjesë e “luftës kundër terrorizmit”, themelet për pushtimin ishin hedhur shumë kohë para 11 shtatorit.

Që në janar 1998, neokonservatorja “Project for a Neë American Century (PNAC)” i dërgoi një letër presidentit të atëhershëm, Bill Clinton, ku i bënte thirrje të rrëzonte Sadam Huseinin. Dhe pas fitores në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, Bushi e shpalli Irakun një prej prioriteteve kryesore të sigurisë. Jo rastësisht, në administratën Bush u afruan dhjetë prej 25 firmosësve të deklaratës së PNAC, përfshirë Dick Cheneyn si zëvendës president dhe DOnald Rumsfeldin, si Sekretar i Mbrojtjes.


Shumë shpejt, administrata Bush u fiksua pas nxitjes së idesë që Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë, pavarësisht mungesës së provave shteruese. Në shtator 2002, Rumsfeld mori një raport të shërbimeve të fshehtë, i cili tani është deklasifikuar, që thoshte se “Ne nuk dimë me saktësi se sa shumë nuk dimë, në lidhje me statusin e programit të armëve të shkatërrimit në masë” në Irak. Nuk bëri ndonjë dallim.

Me shumë gjasa, Lindjes së Mesme do i ishin kursyer shumë vuajtje, nëse SHBA do të kish vepruar me më shumë maturi, siç kishte këshilluar Hans Blix – kreu i Komisionit të Monitorimit, Verifikimit dhe Inspektimit të OKB. Në maj të vitit 2003, ndërkohë që ndodhej në aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, Bushi mbajti një fjalim para një banderole ku shkruhej “Misioni u krye!”. Por nëse misioni kish qenë që të çlirohej Iraku nga terrori, rindërtohej vendi dhe shtohej siguria në të gjithë nivelet, ai kish qenë një dështim absolut.

Pranohet përgjithësisht se lufta në Irak shkaktoi shumë më tepër probleme, se sa zgjidhi. Politikanë të spikatur amerikanë që e mbështetën pushtimin në vitin 2003 – përfshirë shumë republikanë – tani e pranojnë se ishte një gabim, ashtu siç mendojnë shumica e amerikanëve. Por, ndërkohë që pushtimi i vitit 2003 ishte një politikë thellësisht e gabuar, si në formë, edhe në substancë, kaosi që konsumoi Irakun dhe pjesën tjetër të rajonit, buron nga gabime të tjera që kanë bërë politikëbërësit amerikanë, pasi Sadami ishte rrëzuar nga pushteti.

Mbi të gjitha, ishte politika e “de-Baathifikimit” e administratës Bush, që synonte eleminimin e çdo elementi të regjimit neo-Baathist të Sadam Huseinit. Iraku është një vend me shumicë shiite, por aparati politik i Sadamit dominohej nga sunitët, shumë prej të cilëve kishin përftuar bindje të thella fetare gjatë një periudhe islamizimi në vitet 1990. Pasi u përjahstuan nga procesi i rindërtimit, sunitët iu kthyen sektarizmit ushtarak.

De-Baathifikimi çoi edhe në shpërbërjen e ushtrisë irakene. Mijëra prej personalit ushtarak, krejt papritur të mbetur pa të ardhura dhe pa status, gjetën shpresë tek kryengritja salafiste sunite, udhëhequr nga Al Kaeda në Irak, që ishte pararendësja e Shtetit Islamik. Kryengritësit i kundërviheshin jo vetëm pushtimit të SHBA, por edhe atyre që përfitonin prej tij, sipas tyre: kryesisht shumica shiite.

Disa ish-Baathistë përfunduan në qendrat amerikane të ndalimit, ku praktikat e abuzimit ishin të përhapura. Ndërkohë që internoheshin në qendra si Camp Bucca në juglindje të Irakut, ish Baathistë dhe Salafistë u përzienë, dhe përvoja ushtarake e të parëve u shkri me ekstremizmin ideologjik të të dytëve. Në kohën kur ISIS shpalli “kalifatin” në vitin 2014, 17 nga 25 komandantët e tij kryesorë – duke përfshirë edhe udhëheqësin, Abu Bakr al Bagdadi – kishin kaluar kohë në burgjet amerikane, mes viteve 2004 dhe 2011.

Ndërkohë, sektarizmi po bënte kërdinë në qeverinë irakene me shumicë shiite. Në vitin 2010, kryeministri në detyrë, Nouri al-Maliki u rizgjodh, ndonëse Koalicioni Shteti i Ligjit kishte marrë më pak vende se sa Lëvizja e moderuar Kombëtare Irakene, e udhëhequr nga Ayad Allavi. Administrata e Barack Obamës mund të kishte influencuar për të ndihmuar Allavin që të krijonte një qeveri, por në vend të kësaj, ndihmoi al Malikin që të mbante pushtetin. Politikat e këtij të fundit u bënë gjithnjë e më të personalizuara, klenteliste dhe polarizuese, duke nxitur xhihadizmin salafist, i cili kish marrë disa goditje para zgjedhjeve të 2010-ës.

Refuzimi i administratës Obama për të mbështetur Allavin i parapriu tërheqjes së tij nga Iraku në 2011. Të dy episodet i hapën rrugën kryengritjes xhihadiste, që tashmë po zhvendosej drejt Sirisë fqinjë. Më pak se tre vite më vonë, SHBA u detyrua të rikthehet në Irak; menjëherë pas kësaj, nisi dhe ndërhyrjen në Siri.

Tani, pas një fushate të gjatë dhe të lodhshme, ISIS ka humbur pjesën më të madhe të territoreve që mbante dikur në Siri dhe Irak. Por 1 vitet e fundit kanë demonstruar se nuk mund të jemi të kënaqur. Shkëputja e territoreve nga kthetrat e ISIS, nuk e eleminon ideologjinë mbi të cilën mbështetet. Në fakt, mund ta radikalizojë edhe më shumë.

Shpresa tani është që zgjedhjet e përgjithshme irakene në maj, do të sjellin një qeveri e cila është e angazhuar për të qeverisur me konsensus, ruajtur stabilitetin, dhe mbrojtur institucionet e vendit. Po kështu, qeveria e re duhet të afrohet me kurdët e Irakut që e shohin nga pavarësia, dhe të gjejë një mënyrë të kënaqshme për t’i integruar në procesin politik.

Për SHBA, një prej mësimeve më të rëndësishme të 15 viteve të fundit është se ndërhyrjet ushtarake që synojnë ndryshimin e regjimit, pothuaj gjithmonë përfundojnë në katastrofë, sidomos kur mungon një plan i arsyeshëm për atë që ndodh më pas. Lufta e Irakut tregoi se kostoja e injorimit në mënyrë të njëanshme të kanaleve diplomatike, mund të jetë shumë e madhe.

Mund të shpresojmë se administrata Trump – sidomos Sekretari i ri i Shtetit, Mike Pompeo – do të nxjerrë mësime, teksa tensionet në Irak do të shtohen. Rritja e influencës së Iranit në rajon buron nga gabimet e Amerikës në Irak, duke nisur nga braktisja e diplomacisë. Një qasje e ngjashme e SHBA ndaj Iranit do të çojë në një, apo më shumë, breza të reja trazirash në Lindjen e Mesme.

Copyright: Project Syndicate, 2016.
www.project-syndicate.org / Sjellë në shqip nga bota.al

Në trend Botë

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Zviceranët votojnë kundër zgjerimit të autostradave

Zviceranët votojnë kundër zgjerimit të autostradave

Evropa
Përfshihet nga zjarri motori i një aeroplani në aeroportin e Antalias në Turqi – mediat sjellin detaje dhe pamje

Përfshihet nga zjarri motori i një aeroplani në aeroportin e Antalias në Turqi – mediat sjellin detaje dhe pamje

Turqia

"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit

Botë
Kalo në kategori