LAJMI I FUNDIT:

Arrestohet polici që ditë më parë arrestoi vëllanë e Rexhep Selimit

Arrestohet polici që ditë më parë arrestoi vëllanë e Rexhep Selimit

Inspektorati Policor i Kosovës njëpërmjet një komunikate për media bën të ditur se ka arrestuar një polic me inicialet A.I.

KosovaPress mëson se polici i arrestuar është i njëjti që ditë më parë ka arrestuar vëllanë e Rexehp Selimit, Ramadan Selimin.

Sipas IPK-së me autorizim të prokurorit dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, është realizuar  urdhëresën për bastisje në Prishtinë me dyshimin se  zyrtari  policor  A.I. , hetues në Stacionin Policor – Jugu (Drejtoria Rajonale e Prishtinës) ka kryer veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” dhe “ Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.


“Sot  hetuesit e IPK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe kanë bastisur një lokacion në Lagjen e Spitalit në Prishtinë  ku janë  konfiskuar një pistolete me karikator, një armë me mbishkrimin THOMSON, dy fishekë gjuetie, gjashtë fishek të ndryshëm (dyshohet të jenë pistolete), 7 thika të modeleve të ndryshme, shufër metalike, boks metalik etj. që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”, thuhet në komunikatë të IPK-së.

Me vendim të prokurorit të shtetit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar të dyshuarin dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.

IPK ka rekomanduar edhe masën e suspendimit të zyrtarit policor si masë administrative. /Telegrafi/