LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët: Kushtetuesja të shqyrtojë të drejtën e apanazhit

Ekspertët: Kushtetuesja të shqyrtojë të drejtën e apanazhit

Gjykata Kushtetuese me vetë iniciativë mund ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e ligjit që parashikon apanazh për ish-ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë. Profesori universitar, Osman Kadriu, i cili para dy muajve u zgjodh gjykatës kushtetues, konsideron se një pjesë e dispozitave ligjore në ligjin për paga janë kundër kushtetuese dhe duhet të ndryshohen.

Deri më tani nga Kushtetuesja nuk ka pasur nismë me të cilën kërkohet që gjykatësit ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e vendimit ligjor që u jep të drejtë ish-zyrtarëve më së shumti deri në një vit të marrin para nga buxheti në shumën e pagës që u paguhet.

Kadriu theksoi se dispozitat e ligjit për paga që parashikojnë apanazh për zyrtarë të cilët kanë dhënë dorëheqje ose janë shkarkuar nga Kuvendi, duhet menjëherë të ndryshohen. Nëse Kuvendi nuk i shfuqizon, Kadriu paralajmëroi se ato nga ligji do t’i heqë Gjykata Kushtetuese


Edhe pse dhanë dorëheqje, anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Çiçakovski, Violeta Duma, Igor Milev, Subhi Jakupi dhe Silvana Boneva kërkuan që edhe një vit nga shteti të marrin pagë prej 1000 euro. Ata u tërhoqën nga pozitat pasi ndanë 12 paga shtesë në vlerë prej 12 mijë euro për anëtar. Sipas të dhënave nga Kuvendi, 38 deputetë nga përbërja e kaluar parlamentare kanë marrë apanazh prej 1,000 eurove./Alsat/