LAJMI I FUNDIT:

TESTAMENT

TESTAMENT

Poezi nga: Frederik Rreshpja

Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
i mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe:
Nëpër shirat e vdekur peshqit fluturonin drejt
Çerdheve, te yjet. Në vend të borës binin zogj
në çdo dru.
Era si ketër brente degët.
Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave nëna ime!
Mos e pastë njeri këtë fat!

Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin
e trëndafilave.


Pastaj erdhe ti tërë ikje.
Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.
Kështu iku edhe rinia, filigrami i djalërisë,
i mallkuar me art.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka
dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes
të më ndjekë mallkimi i artit.
Mos e pastë njeri këtë fat!

Po kur të vdes portreti im ka për t‘u shfaqur nëpër gjethe,
se unë kam patur miqësi me çdo dru.

Në stinën kur bien gjethet
do të bien edhe sytë e mi.

Tani e tutje shirat do jenë lotët e mi.
Mos e pastë njeri këtë fat!