LAJMI I FUNDIT:

“Kronen Zeitung”: Shqipëria, perla e harruar në Adriatik

“Kronen Zeitung”: Shqipëria, perla e harruar në Adriatik

Evropa nuk ka shumë sekrete të mbetura. Por, një prej të fundit është Shqipëria. Lideri komunist, Enver Hoxha, që vdiq në vitin 1985, kishte mbyllur vendin e vogël në jugperëndim të Gadishullit të Ballkanit nga pjesa tjetër e botës.

Çdo besim fetar ishte i ndaluar. Ndërkohë që diktatura zhvillohej, diktatori e mbuloi Shqipërinë me bunkere, mendohet të jenë rreth 700 000. Megjithatë jo gjithnjë të dukshme, reliket ndodhen kudo, në fushat e gjelbërta, në ullishte, kopshte dhe plazhe. Tani, “kërpudhat”, sikurse e quajnë banorët trashëgiminë prej betoni të Hoxhës, përdoren si bodrume për verën, bare të modës ose hotele moderne.

Sot, vendi është i hapur, pothuajse i paprekur


Vizitorët e interesuar habiten me mikpritjen dhe sinqeritetin që të ngroh zemrën. Nënë Tereza, një prej personaliteteve më të famshme shqiptare, do ta pëlqente këtë. Dhe aty që dikur besimet botërore ishin të ndaluara, që prej përfundimit të epokës së Hoxhës, manastiret e vjetra dhe xhamitë janë rinovuar. Kullat e kishave qëndrojnë në krahë të minareve.

“Kjo është bota shqiptare”, thotë Jetmiri, i cili punon si guidë. Emri i tij do të thotë “jetë e mirë”. Një ogur.

Bota antike shfaqet në Apoloni

… jo shumë larg qytetit të Fierit. Nën pushtimin romak, ky qytet dorik, ka qenë një qendër e madhe tregtare në brigjet ilire. Me urdhër të xhaxhait të tij, Jul Qezarit, Oktaviani erdhi këtu që të mësojë retorikën, artet marciale dhe greqisht. Ai do të njihet më pas në histori si perandori August. Mbetjet e tempullit të Apolonisë, teatrit dhe tregut ende mund të vizitohen. Dinakëria artizanale dëshmohet në statujat me madhësi natyrale, pranë një manastiri, shumica pa kokë dhe me një vrimë në mes të shpatullave. Arsyeja për këtë thotë Jetmiri është “sepse sundimtarët ndryshonin shpesh në atë kohë dhe urdhërat duhej të përfundonin shpejt. Kështu që skulptorët përdornin statujat e vjetra, ndërsa koka bëhej nëse ishte e nevojshme. Nëse nuk përfundonin në kohë, mund të humbisje kokën”.

Stili mesdhetar rrjedh në rajonet bregdetare

Nga qyteti port i Vlorës, pika më e ngushtë e Adriatikut, shkon në gadishullin idilik të Karaburunit. Ndërsa rruga kalon përmes maleve të dendura dhe të larta më shumë se 1 000 metra. Një zonë rekreative shumë popullore, që sundohet nga aroma e freskët e pishave dhe bredhave. Në pikën më të lartë, në Qafën e Llogarasë, e gjelbërta i lë vendin blusë së thellë. Jetmiri tregon një vijë të bardhë në ujë, në horizont. Ku takohen deti Adriatik dhe Jon. Më pas, Parku Kombëtar i Llogarasë është pas nesh, ndërsa riviera shqiptare përpara. Saranda, vendi më në jug, është parajasa e notarëve. Me pamje nga ishulli grek i Korfuzit, shfaqet zona arekologjike 3 000-vjeçare e Butrintit. Një zonë e Trashëgimisë Botërore, që Virgjili dikur e quante Troja e dytë.

Gjirokastra është mirë të vizitohet më këmbë

Në “qytetin e gurtë”, vështirë të gjesh një rrugë që të mos jetë e pjerrët. Ia vlen të bësh një shëtitje nëpër rrugët gjarpëruese që të çojnë në kala. Çatitë e shtëpive, të mbuluara me rrasa të nxjerra nga malet përreth, feksin një shkëlqim të argjendtë. Vendasit konsiderohen si skocezët e Shqipërisë dhe barcaletat për kopracinë e tyre janë tepër gazmore. Po ju tregojmë njërën prej tyre. Dy udhëtarë pyesin shoferin e taksisë: Sa kushton udhëtimi? – Tre mijë lekë (22,5 Euro), u përgjigjet personi në timon. “Në rregull, nisu! Je në rregull me dy mijë lekë,” i thonë në fund klientët. -Përse dy mijë? – pyet shoferi i hutuar. -Po ti, a nuk udhëtove me ne? – iu përgjigjën pasagjerët?

Qyteti “i një mbi një dritareve”

Përveç Gjirokastrës, edhe Berati është përfshirë në listën e thesareve arkitekturore të UNESCO-s. Qyteti i “një mbi një dritareve” është i famshëm për shtëpitë e tij të lyera në të bardhë dhe të ndërtuara njëra mbi tjetrën përgjatë dy shpate luginash. Në vend të një parrulle gjigante me emrin e parë të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, në faqen e malit tashmë dallohet fjala angleze “Never”, që do të thotë “Kurrë më”! Një simbol i dashurisë së mbrujtur historikisht për lirinë, që ka mbizotëruar në Shqipërinë thuajse vazhdimisht të pushtuar. Njëlloj siç adhurohet heroi kombëtar, Skënderbeu. Nga fshatrat malore të Krujës, Skënderbeu e mbrojti vendin kundër otomanëve në shekullin XV. E bija e Enver Hoxhës është projektuesja e muzeut të restauruar, që ka formën e një kështjelle mesjetare. Ndërsa vizitojmë muzeun, marrim vesh që helmeta dhe përkrenarja origjinale e Skënderbeut në të vërte t ruhen në muzeun ”Kunsthistorisches” të Vjenës.

Tirana

Në kryeqytet ndeshim sërish në “kërpudhat” e famshme, një trashëgimi e regimit të Hoxhës. Pikërisht në qendër të kryeqytetit e gjejmë veten para hyrjes së Bunk’Art. Nën shoqërinë e ulërimës së sirenave, si ato gjatë një sulmi ajror, shkallët e bunkerit zbresin poshtë në një muze nëntokësor, ku janë ekspozuar instalacione arti si dëshmi e një të kaluare të errët, kur mbizotëronin metoda të pabesa spiunimi. Tepër interesante! Jo gjithçka funksionon në mënyrë të përsosur. Lidhur me statuskuonë, Jetmiri shprehet: Shqipëria është vend në tranzicion që pret të mbërrijë në Evropë./ATSh/

Në trend Lajme

Më shumë
Osmani takohet me admiralin Bauer: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi është prioritet strategjik për Kosovën

Osmani takohet me admiralin Bauer: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi është prioritet strategjik për Kosovën

Lajme
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet babai i 14-vjeçarit: Janë dy vrasës, njëri është ende i lirë

Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet babai i 14-vjeçarit: Janë dy vrasës, njëri është ende i lirë

Lajme
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Lajme
Ahmeti: Nënshkruam marrëveshje

Ahmeti: Nënshkruam marrëveshje "xhentëllmenësh", por VLEN-i nuk e mbajtën fjalën

Lajme
Kalo në kategori