LAJMI I FUNDIT:

Balija: Sektori bankar stabil, bankat me fitime prej mbi 85 milionë euro (Video)

Balija: Sektori bankar stabil, bankat me fitime prej mbi 85 milionë euro (Video)

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija në një intervistë për Telegrafi, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka thënë se sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe stabil.

Sipas tij, ecuria e sektorit bankar për vitin 2017 ka qenë mjaftë pozitive, duke shënuar rritje derisa bankat kanë pasur fitime prej 85.3 milionë euro.
Balija thotë se investimet që janë duke u bërë në kriptovaluta janë të rrezikshme.

“Ecuria e sektorit bankar për vitin 2017 ka qenë mjaftë pozitive, një zhvillim i qëndrueshëm dhe me rritje në çdo aspekt, duke filluar prej kreditimit i cili është rritur afër 12 për qind, pastaj kemi pasur një rritje në asete dhe një rritje në fitim, i cili në fund të këtij viti është afër 85.3 milionë euro”, tha Balija.


Sipas tij, fitimi i bankave po rritet në këtë kohë kur të ardhurat e bankave qëndrojnë stabile dhe nuk ka rritje në të ardhura.

“Nëse e bëjmë një krahasim me vitin 2012, të ardhurat e bankave kanë qenë më të larta se në vitin 2017 për afër 7 milionë euro, apo 247 milionë euro të ardhura bruto, ndërsa fitimi ka qenë 18 milionë euro. Në vitin 2017 kemi rënie të të ardhurave të përgjithshme, ndërsa kemi rritje të fitimit”, shpjegon ai.
Duke folur për kreditë e këqija, drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija tha se niveli i këtyre kredive është me vendet e Bashkimit Evropian dhe dukshëm më i mirë sesa në vendet e rajonit.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për mosefikasitetin e sistemit të drejtësisë,i cili është duke i sjell dëme sistemit bankar.

Po ashtu Drejtori Balija ka treguar se si shoqatë kanë synim që të rrisin pagesat elektronike dhe largimin e pagesave me “cash”. /Telegrafi/