LAJMI I FUNDIT:

Majko: Paqja e Kosovës kalon nga harku i Gjykatës Speciale

Majko: Paqja e Kosovës kalon nga harku i Gjykatës Speciale

Ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, e cilëson të detyrueshme votimin e Gjykatës Speciale në Kosovë pasi kështu shteti i Kosovës ruan statusin ndërkombëtar.

Sipas Majkos diskutimi mbetet se cilin variant do të miratojnë deputetët e Kuvendit.

Deputeti i PS-së nënvizon se diskutimi për këtë çështje nuk ka pse shmanget pasi nuk kemi të bëjë vetëm me një çështje juridike por diskuton statusin e shqiptarëve në rajon.


Ish-kryeministri i Shqipërisë në periudhën e Luftës së Kosovës, përmes një postimi në Facebook, shpreh mendimin se, në fund në çdo rast Gjykata Kushtetuese do të ngrihet dhe diskutimi është nëse do të merret parasysh propozimi amerikan dhe evropian apo varianti rus.

Postimi i plotë i Majkos:

“HARKU I GJYKATES SPECIALE…

Në Prishtinë po luhet një politikë e cila po shkon drejt absurdit. Kërkesa për anullimin e Gjykatës Speciale po prodhon paqartësi dhe frikë për të ardhmen.

Për arsye që kishin kuptim, hyja tek ata që kishin rezerva për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet në Kosovë. Arsyetimi nuk qëndronte në mohimin e asaj që ndodhi në Luftën e Kosovës. Ai kishte të bënte me dallimin e përmbajtjes së akteve që serbët dhe shqiptarët kryen kundër njëri tjetrit, sidomos në periudhën e pasluftës. Në këtë histori dallimi i aksionit dhe reaksionit është i rëndësishëm. Ky dallim nuk mund të mbyllet me shprehjen se “krimi është krim, në cdo rast”(!). Edhe kodet penale më moderne e bëjnë dallimin.

Aktualisht, në politikën e Prishtinës kanë filluar, me dhe pa të drejtë, të diskutojnë “drejtësinë” dhe raportin e vështirë historik që krijon Gjykata Speciale për shtetin e Kosovës.

Pyetja është, se pse ajo që refuzohet sot, nuk u diskutua dje kur kishte kohën?! Kjo dhe pyetje të tjera kanë kuptim më shumë se sa dhënia e përgjigjeve.

Diskutimi që duhej zhvilluar dikur… tani ka një kontekst tjetër. Bllokimi i Gjykatës Speciale po shikohet nga ndërkombëtarët si prishje e një marrëveshjeje ndërkombëtare. 
Vota për krijimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës nuk ishte një akt “i brendshëm” i sistemit legal të shtetit. Ajo angazhoi Gjykatën e Hagës në një raport zyrtar me shtetin e Kosovës. Edhe për këtë arsye, kjo kontratë ndërkombëtare me emrin “Gjykata Speciale” u shoqërua me ndryshimin e Kushtetutës.

Të gjithë partnerët e Kosovës po bëjnë thirrje sot që të mos vazhdohet në këtë drejtim absurd. Ai do të vendosë shtetin e Kosovës nën akuzë. Dhe ajo, nuk do ti ngjajë deklarimeve të përgjithshme që harrohen nesër. Akuza do fokusohet edhe tek persona të përvecëm të cilët do të izolohen. Dhe ky do të jetë vetëm fillimi.

Jam i bindur se dikush që ka qenë i gatshëm të japë jetën në Luftë, nuk do ti frikësohej asnjë akuze të pabazuar. Shteti i Kosovës nuk është një cështje personale. E kundërta është e vërtetë. E drejta shtetërore nuk diskuton asnjë fat personal. Vendosja e interesit shtetëror mbi fatet e personave, dallon burrat e shtetit nga njerzit e vegjël.

Kush mendon se SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian do ta përtypin në heshtje një vendim “sovran” për pezullimin e Gjykatës Speciale, gabohet.

Amerikanët, sidomos ata, si miq, të duan deri në tejkalim të mardhënies shtetërore. Mos e dhëntë zoti, ti kesh përballë si tradhëtarë të besimit të miqësisë… Me ish-ushtarin e Luftës ata sillen me rregullat e respektit ndaj tij. Ndaj pabesisë nuk kanë rregulla. Pa dallim!

Me shpresë dhe besim uroj që viti 2018 të sjell reflektim në emër të së ardhmes së shtetit të Kosovës për këtë cështje.

Në marrëveshjet ndërkombëtare ku vihet në diskutim statusi i shtetit, pendesa nuk ekziston.

Kosova fitoi Luftën. Tani duhet të fitojë paqen… me veten. Paqja e Kosovës kalon nga harku i Gjykatës Speciale. Harku i saj nuk ka triumf. Ai do të masë karaktere njerzish më shumë se sa drejtësinë. Sigurisht!” (sic.), ka shkruar Majko. /Telegrafi/