LAJMI I FUNDIT:

Filmi më emocionues i historisë së kinematografisë: Jeta e bukur, kudo rreth nesh (Foto/Video)

Filmi më emocionues i historisë së kinematografisë: Jeta e bukur, kudo rreth nesh (Foto/Video)

Nuk janë të shumtë filmat e mëdhenj për Krishtlindjen. Klima e festimeve të Krishtlindjes të jep më shumë ndjesinë e vetmisë të personazheve tek filmi “The umbrellas of Cherbourg” dhe dritëzat dekorative e bëjnë akoma më të çuditshme aventurën erotike të protagonistit tek “Eyes Wide Shut” . Kur filmi i Krishtlindjes kërkon të jetë një ndryshim emotiv ose fetar, është e zakonshme që të kthehet në tmerrësisht sentimental. Megjithatë, ka një përjashtim nga ky rregull: filmi i vitit 1946, “Jeta e bukur” (It’s a Wonderful Life), nga regjisori Frank Capra.

Historia e këtij filmi nisi me një tregim të shkurtër të titulluar “Dhurata më e madhe”, shkruar nga Philip Van Doren Stern. Argumenti kryesor i tregimit (një njeri i quajtur George Bailey, që në një moment kur kërkon të kryejë vetëvrasje i vjen për vizitë një engjëll që i tregon se si do të ishte bota nëse ai nuk do të kishte lindur), ishte i mjaftueshëm që RKO ta blinte për ta bërë një film me Cary Grantin në rolin kryesor. Grant nuk e pranoi rolin, për shkak të angazhimeve tjera. Atëherë RKO e hoqi nga lista e planeve. Por, regjisori dhe producenti Frank Capra i bleu të drejtat për ta bërë ai filmin me aktorin James Stewart.


Meqë Capra ishte një nga regjisorët më të njohur atëherë dhe Stewart një yll i madh, kjo bëri që të realizonte një film shumë të kushtueshëm. U xhirua në një studio gjigande të ngritur mbi një fshat të tërë. E vendosi filmin në një dimër me dëborë, ndërkohë që xhironte në mes të verës (aktorët xhironin me rroba dimërore, ndaj i nxehti ishte i padurueshëm).

Capra realizoi një nga filmat më të bukur amerikanë për periudhën e Krishtlindjes, duke respektuar skenarin, por duke i shtuar një kontekst më të sofistikuar: historinë se pse Bailey donte të vetëvritej. Kështu, e vendosi ngjarjen në rrethinat amerikane. Në fakt, ky film reflekton jetën e lagjeve amerikane me ambicie modeste, por edhe atë që quhet epika e njeriut të zakonshëm. Për të qënë më të qartë, Capra trajton një nga temat më të përsëritura në kinematografi: idenë e një klase të mesme, me probleme, që në fund bën luftë heroike për mbijetesë.

Kështu, George Bailey në moment të vetëvrasjes takohet me engjëllin Clarence Odbody, i cili nëse ia del në këtë mision shpëtimi, do të fitojë krahët. Engjëlli e dërgon Baileyn nëpër kohë, që në vitet kur shpëton jetën e vëllait të tij. Në mungesë të tij, tash sheh varrin e vëllait. Nëna e tij është vetmuar, gruaja e pamartuar e fëmijët askund. Gjithçka pra është më keq. Ndaj, kupton se jeta është e bukur dhe se duhet jetuar për hir edhe të tjerëve. Në fund të filmit, në Natën e Krishtlindjeve, engjëlli i fiton krahët e Baileyt i kthehet jeta dhe dashuria për të jetuar. Sepse lumturinë e gjen secili tek më të dashurit e tij, por këtë duhet parë.

Capra ka thënë se e realizoi këtë film meqë perceptonte një valë ateizmi në Amerikën e kohës. Ajo që na thotë regjisori është se është më mirë t’i besojmë Zotit për të na shpërblyer mirësinë, sepse njerëzimi nuk duket se ndihmon.

Një herë Milan Kundera tha se veprat e mëdha komike nuk janë ato që bëjnë për të qeshur, por ato që gjejnë forma të reja komike. Në këtë mënyrë, “It’s a Wonderful life” jo vetëm që është një film që emocionon, por edhe që krijon një formë të re emocioni pozitiv. /bota.al/Telegrafi/