LAJMI I FUNDIT:

Historia e Kosovës do të shkruhet nga 50 hulumtues

Historia e Kosovës do të shkruhet nga 50 hulumtues

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka vizituar Institutin e Historisë, më ç’rast është pritur nga drejtori Sabit Syla me bashkëpunëtorë.

Sipas komunikatës për media nga MASHT, Bytyqi theksoi se Instituti i Historisë është ndër institucionet e rëndësisë së veçantë për hulumtimin dhe ruajtjen e vlerave historike kombëtare.

Bytyqi, po ashtu tha se është i interesuar që të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë ndërinstitucional dhe se MAShT, brenda mundësive do ta mbështesë veprimtarinë kërkimore-shkencore të Institutit, ndërsa do të angazhohet edhe për të gjetur një zgjidhje edhe sa i përket objektit ku duhet të vendoset Instituti.


Drejtori Syla e informoi për veprimtarinë shkencore të Institutit ndër vite, njëherësh e njoftoi me projektet dhe aktivitet që i kanë në program për t’i zhvilluar vitin që vjen me rastin e shënimit të përvjetorëve dhe ngjarjeve të rëndësishme kombëtare.

Ai e njoftoi Ministrin se brenda a periudhës 4 vjeçare janë botuar rreth 30 tituj shkencor, ndërsa po ashtu theksoi se ka filluar projekti për hartimin e Historisë së Kosovës, i cili do të përfshijë ngjarjet më të rëndësishme kulturohistorike që nga Ilirët deri në ditët e sotme dhe ku janë të angazhuar 50 hulumtues shkencorë eminentë brenda dhe jashtë vendit, projekt ky që do të zgjasë rreth 3 vite.

Nga ana e tij ministri tha se MAShT, do të mbështes edhe projektin madhor “ Historia e Kosovës “ si një projekt të rëndësisë veçantë me vlerë gjithëkombëtare.