LAJMI I FUNDIT:

Premtimet e rreme, nga martesa në prostitucion të dhunshëm (Video)

Premtimet e rreme, nga martesa në prostitucion të dhunshëm (Video)

Dy të rinj takohen, djali propozon martesë, premton jetë më të mirë duke përfshirë edhe jetesën jashtë Kosovës.

Ky është vetëm njëri prej skenarëve, i cili përfundon me shantazh ndaj vajzës për të kryer prostitucion të dhunshëm.

Njëra nga format e shantazhit nga kryesit e këtyre veprave janë videot me pamje intime të incizuara paraprakisht dhe kërcënimet se të njëjtat do të publikohen apo do të dërgohen te familjarët e vajzës.


Policia thotë se kjo formë e shantazhit në shoqërinë kosovare shihet si shumë shqetësuese, duke shtuar faktin se shumica e këtyre viktimave të trafikimit janë nën moshën 18-vjeçare.

Shefi i Sektorit Qendror të trafikimit me qenie njerëzore në Policinë e Kosovës, Riza Murati, ka treguar për Radion Evropa e Lirë sesi ndodh mashtrimi i viktimave.

“Fillimisht, rekrutimi i viktimave bëhet përmes mashtrimeve të ndryshme, janë ato mashtrimet për martesa, kur rekrutohen apo mashtrohen se do të kenë jetë të mirë apo studime jashtë vendit. Pastaj, përmes kësaj arrijnë që kryesit të sigurojnë video intime të viktimave, të femrave me të cilat ata një pjesë të kohës e kalojnë si, të themi, të dashura të tyre. Më pas përmes atyre video-incizimeve, ato shantazhohen që të kryejnë veprimtari ose të shfrytëzohen, pastaj, detyrohen të dalin me persona të tjerë për t’iu sjellë kriminelëve përfitime”, ka thënë Murati.

Shumica e këtyre rasteve identifikohen përmes operacioneve policore, pasi viktimat janë të frikësuara ta thërrasin policinë.

Deri në këtë periudhë të këtij viti, Policia e Kosovës ka raportuar për 22 raste të trafikimit, për dallim nga 36 raste sa kanë qenë në vitin e kaluar.

Menjëherë pas luftës, viktimat e prostitucionit ishin nga shtete kryesisht të Evropës Lindore. Sot, shumica e viktimave janë vajza të trafikuara brenda territorit të Kosovës.

Murati ka treguar se në kuadër të Policisë së Kosovës, përkatësisht sektorit të trafikimit me qenie njerëzore, ekziston edhe sektori për asistencë dhe mbrojtje të viktimave të trafikimit që merret me procedurat e veprimit për ri-integrim afatgjatë të viktimave të trafikimit.

Përveç kësaj, në Kosovë ekziston edhe Strehimorja Shtetërore e sigurisë së lartë, si dhe dy strehimore të tjera që funksionojnë si organizata joqeveritare dhe ofrojnë shërbime të tilla.

Në Qendrën për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me qenie njerëzore, organizatë qeveritare që ofron shërbime të rehabilitimit dhe riintegrimit për viktimat, kemi siguruar një rrëfim të një vajze, e cila ka qenë viktimë e trafikimit seksual përmes shantazhimit.

Këjo është një pjesë e rrëfimit të viktimës: “…pastaj më urdhëruan të kem marrëdhënie seksuale me burra të tjerë. Ai që më dhunoi i pari, ishte si bosi im. Gjatë gjithë kohës ai më kërcënonte se më ka filmuar kur unë jam detyruar të kryej marrëdhënie seksuale, e do t’iu tregoj prindërve të mi çfarë kam bërë”, ka thënë viktima.

“E mbaj mend ditën kur tentova të ikja nga ai vend, sa shumë më ka torturuar. Ende kam shenja në trup. Gjithmonë më thoshte se ka të njohur në Polici…”

Sipas sociologes Linda Gusia, kthimi në familje nuk është zgjidhje për këto lloj viktimash dhe se institucionet duhet të luajnë rolin kryesor në rehabilitimin e tyre.

“Problemi është që shoqëria jonë patriarkale, familja jonë tradicionale e bën gati të pamundshme për këto vajza për t’u kthyer në gjirin familjar apo të kthehen në jetën të cilën e kanë pasur më përpara”, ka thënë Gusia.

Gusia e sheh pavarësimin e vajzave si mundësinë më të mirë që ato t’i kthehen jetës në shoqëri:

“Njëra prej arsyeve se pse këto gra e vajza bien pre e trafikimit, është varfëria dhe ndihmesa më e mirë do të ishte që ato të pavarësohen ekonomikisht dhe të krijojnë idenë se ato mund të jenë të pavarura dhe mund të mbijetojnë në aspektin financiar. Këtë e konsideroj si çështje kryesore”.

Deri më tash për këtë lloj të shantazhit për shfrytëzim seksual, një person është dënuar me më shumë se 12 vjet burgim. Policia thotë se e ka të pamundur t’i zbulojë këto raste nëse qytetarët nuk bashkëpunojnë me organet e rendit.

Edhe në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se Kosova nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz, por po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim. /REL/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyrtarëve të tjerë të LDK-së

Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyrtarëve të tjerë të LDK-së

Drejtësi
Njohësit e politikës: Gjuha mes Osmanit e Kurtit pritet të ashpërsohet

Njohësit e politikës: Gjuha mes Osmanit e Kurtit pritet të ashpërsohet

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Kalo në kategori