LAJMI I FUNDIT:

Delegacioni qeveritar i Maqedonisë në Samitin e 6-të të kryeministrave nga grupi 16+1 në Budapest

Delegacioni qeveritar i Maqedonisë në Samitin e 6-të të kryeministrave nga grupi 16+1 në Budapest

Kryeministri Zoran Zaev sot niset për në Budapest ku do të marrë pjesë në Samitin e 6-të të shefave të qeverive në procesin për bashkëpunim të Republikës Popullore të Kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, i cili mbahet prej sot deri më 28 nëntor në kryeqytetin e Hungarisë.

Siç kumtoi shërbimi qeveritar për media, në delegacionin zyrtar të Maqedonisë në samit janë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për Çështje ekonomike Koço Angjushev, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri i Kulturës, Robert Alagjozovski, sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe koordinues nacional për bashkëpunim me grupin 16+1, Viktor Dimovski dhe këshilltari për ekonomi në kabinetin e kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Fatmir Besimi.


“Delegacioni i Republikës së Maqedonisë në këtë samit, i njohur edhe si Samiti 16+1, do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së forumit ekonomik, tregtar dhe financiar, si dhe në punën e sesionit plenar të forumit, në të cilin fjalim do të ketë edhe kryeministri Zoran Zaev. Zaevi, si dhe anëtarët tjerë të delegacionit qeveritar, gjatë Samitit të 6-të të shefave të qeverive në procesin për bashkëpunim të Republikës Popullore të kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, do të kenë shumë takime bilaterale”, informoi shërbimi qeveritar për media.

Kryeministri Zaev, të martën më 28 nëntor, do të ketë takim me Li Keqiang, kryeministër i RP të Kinës dhe të njëjtën ditë do të takohet edhe me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban./Telegrafi/