LAJMI I FUNDIT:

Elitat e Ballkanit qeverisin duke prodhuar skandale

Elitat e Ballkanit qeverisin duke prodhuar skandale

Furia në Serbi në lidhje me intervistën e Bakir Izetbegoviqit është një shembull klasik i mënyrës sesi qeveritë e Ballkanit përdorin mediat “mike” për të shpërqendruar vëmendjen e publikut nga skandalet e korrupsion

Jasmin Mujanoviq

Ka dy lloje skandalesh politike në Ballkanin Perëndimor. Të parat zbulohen nga gazetarët të mençur, të cilët, duke rrezikuar jetën e tyre, hedhin dritë mbi vjedhjen dhe elitat që kanë dominuar postet më të larta të rajonit për dekada të tëra. Skandalet e dyta prodhohen nga këto regjime të njëjta dhe nga daljet e tyre në shtypin bulevardesk dhe përdoren për ta shpërqendruar publikun nga e para.


Le të marrim si shembull një rast të fundit. Më 8 nëntor, rrjeti i gazetarisë investigative të Serbisë, KRIK, zbuloi se Nenad Popoviq, një zyrtar i lartë në Partinë Progresive Serbe (SNS) dhe ministër pa portofol përgjegjës për “inovacionin”, kishte fshehur miliona të tëra në llogari “offshore” në Bahamas. Pasuria e Popoviqit u zbulua të jetë e tillë, saqë ai mund të jetë politikani më i pasur në të gjithë ish-Jugosllavinë.

Ky ishte skandali i dytë i tillë që nga shtatori që tronditi qeverinë serbe. Javë më parë, KRIK raportoi se Ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, me sa duket kishte marrë më shumë 240 mijë euro nga “tezja e gruas së tij në Kanada” që nga viti 2011. Përpjekjet e mëvonshme të Vulinit për të shpjeguar origjinën e parave janë bërë thjesht më qesharake çdo orë që kalon. Duke lënë mënjanë absurditetin, të dyja historitë përgënjeshtrojnë pretendimin e presidentit Aleksandër Vuçiq se Serbia ka një qeveri kombëtare të rinovuar, në frymën e pastrimit të establishmentit politik dhe administrativ nga mollët e kalbura dhe duke e përcaktuar vendin si një pretendent të padiskutueshëm rajonal për anëtarësimin në BE.

Në të vërtetë, siç tregojnë këto raporte dhe të tjera, Qeveria e Beogradit është e mbushur me korrupsion dhe nepotizëm, tepër autoritare dhe ende e zhytur në ekstremizmin e viteve 1990. Pas javësh të tëra me tituj gazetash që sa vinin e përkeqësoheshin, Vuçiq dhe aparatçikët e tij, me sa duket vendosën se ishte koha për ta zhvendosur vëmendjen e publikut larg fakteve në rritje të sundimit të tyre hajdut. Në vend që ta deklaronte qeverinë e tij përgjegjëse në lidhje me kriminalitetin e dukshëm brenda radhëve të saj, shtypi proqeveritar u kap pas një interviste të Bakir Izetbegoviqit, anëtar boshnjak i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, në të cilën ai deklaroi dëshirën e tij personale që Bosnja të njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Brenda pak orësh, intervista e Izetbegoviqit në “Deutsche Welle” ishte lajmi kryesor në çdo tabloid të madh në Serbi, ndërsa një valë gjysmë të vërtetash, keqinterpretimesh dhe lajmesh të fabrikuara e larguan të gjithë vëmendjen nga Popoviqi, Vulini dhe milionat e tyre të zhdukura.

I vetmi lajm i rëndësishëm ishte shovinizmi i Izetbegoviqit, i turmave të myslimanëve në portat e Novi Pazarit, i turqve që thurin komplote, i amerikanëve komplotues, i britanikëve mashtrues dhe i të gjithë atyre që konspiruan për “të vjedhur” Kosovën e shenjtë nga gjiri i popullit serb.

Ekzagjerimi këtu është i qëllimshëm, por çuditërisht i ngjashëm me atë që në fakt zuri faqet e “Informer”, “Kurir” dhe “Telegraf”, disa nga gazetat më të lexuara të vendit. Brenda një dite, vetë Vuçiqi ishte në pozitë për t’u shpjeguar. Ai sqaroi se komentet e Izetbegoviqit ishin jo vetëm një skandal diplomatik, por edhe një tradhti e bujarisë së Serbisë ndaj Bosnjës, duke përkujtuar se Serbia ishte “garantuese” e Marrëveshjes së Paqes të Daytonit të vitit 1995.

Dhe, këtu u plotësua e gjithë performanca. Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij e kishin ridrejtuar stuhinë e polemikave publike nga kritikat ndaj tyre drejt një skandali të sajuar që kombinonte shumë mirë ankesat politike me trillimin e pastër politik.

Cirku i medias në Beograd, natyrisht, injoroi faktin që vërejtjet e Izetbegoviqit i bënin jehonë atyre të anëtarit kroat të Presidencës së Bosnjës, Dragan Qoviq, thuajse fjalë për fjalë. Vetëm pak ditë më vonë, Qoviq kishte thënë se për atë, njohja e Kosovës nga Bosnja “as që bëhej fjalë. Ishte thjesht çështje e një arritjeje konsensusi në lidhje me këtë.” Megjithatë, ajo intervistë nuk u transmetua në Serbi, edhe pse qëndrimet e të dy burrave në lidhje me këtë çështje janë përcaktuar prej vitesh – njësoj si ka qenë kundërshtimi i palëkundur ndaj njohjes së Kosovës nga palët serbe etnike të Bosnjës. Prandaj, siç sugjeroi Qoviq, e gjithë çështja ishte e diskutueshme: pa marrëveshje trepalëshe, nuk mund të ndodhte asnjë njohje.

Për sa i takon idesë së Serbisë si “garantuese” e Marrëveshjes së Daytonit: siç e di mirë Vuçiqi, Serbia nuk është një garantuese, por nënshkruese e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit. Në vend që të jetë një arbitër neutral dhe i jashtëm, nënshkrimi i Serbisë në marrëveshje është provë mbi rolin e Beogradit si një nga tre palët luftuese në luftën e Bosnjës së viteve 1992-1995. Si rezultat, teksti i Daytonit përcakton qartë se Serbia e ka për detyrim të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës. Ajo s’ka të drejtë të ndërhyjë, siç e bën shpesh qeveria e Vuçiqit, në çështjet e brendshme të Bosnjës.

Megjithatë, në shtator dhe tetor, Vuçiq qëndroi krah për krah me Millorad Dodikun, presidentin separatist të entitetit serb të Bosnjës, Republika Srpska, pasi kjo e fundit shprehu dëshirën e qeverisë së saj “të jetë një” me Serbinë, duke konspiruar në mënyrë aktive edhe me qeverinë në Beograd për të shkelur kontrollin e Bosnjës mbi kufirin e saj lindor.

Në të vërtetë, nëse dikush do të rishikonte të gjithë indeksin e mbështetjes së nënkuptuar dhe të qartë të Vuçiqit për sulmet dhe retorikën e Dodikut, ose akoma më keq, të sponsorizimit të Beogradit për qeverinë e Dodikut që shkon deri në kohën e administratës së Boris Tadiqit, do të humbej shumë kohë e çmuar për të kujtuar një kronikë hipokrizie. Nëse një hipokrizi dhe dezinformim i tillë s’do të ishin rutinë, mund të ishte e neveritshme. Duke qenë se janë, familjariteti dhe transparenca cinike duhet të na bëjnë konfuz.

Sigurisht që Izetbegoviqi s’është i pafajshëm në këtë gjë. Anëtari i Presidencës boshnjake jo vetëm duhet të dijë më mirë sesa të ushqejë trollet politike të Serbisë, ai vetë nuk është i huaj për një manipulim të tillë. Si kreu i Partisë për Veprim Demokratik, SDA, padyshim sipërmarrja më e korruptuar dhe kriminale politike në vend, Izetbegoviq ka debatuar shpesh publikisht me Dodikun, Qoviqin dhe me Vuçiqin që të shpërqendrojë publikun në Bosnjë nga skandalet e panumërta të partisë së tij: qoftë ky arrestimi i zyrtarëve të rangut të lartë të SDA-së për shpërdorim detyre apo keqmenaxhimi i spitalit të përgjithshëm të Sarajevës nga gruaja e tij.

Pra, cili është skandali i vërtetë këtu? Vuçiqi dhe Izetbegoviqi me qëllim ose jo kanë nisur një debat gjysmë artificial në lidhje me zgjidhjen postjugosllave – nga Kosova te Marrëveshja e Daytonit – dhe konsumuan të gjithë oksigjenin në dhomë gjatë këtij procesi. Ndërkohë, Popoviqi dhe Vulini po numërojnë milionat e tyre, drita e zbehtë dhe pulsuese e demokracisë e Serbisë zbehet nga dita në ditë, derisa që në të gjithë Sarajevën e udhëhequr nga SDA-ja rrjeti i ujësjellësit është ende në gjendje të keqe, shërbimi shëndetësor i hairit është privilegj i pak njerëzve dhe punësimi mbetet një çështje ku duhet të paguash për të filluar punë.

Megjithatë, vetëm një grup i këtyre çështjeve do të ketë pasoja reale për qytetarët e Serbisë dhe Bosnjës. Vetëm në rast se këto do të arrinin të ishin të titujt kryesor të gazetave.

(Dr. Jasmin Mujanoviq është studiues politik i specializuar në politikën e Evropës juglindore dhe në politikën e demokratizimit postautoritar dhe postkonflikt. Libri i tij i parë, “Uri dhe Zemërim: Kriza e Demokracisë në Ballkan”, do të publikohet gjatë vitit 2017. Ky shkrim është botuar fillimisht nga BIRN-i)

Në trend

Më shumë
Tre fëmijë humbën jetën – gjithçka që dihet nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës

Tre fëmijë humbën jetën – gjithçka që dihet nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës

Lajme
Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar  nga “Fundjavë Ndryshe”

Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar nga “Fundjavë Ndryshe”

Magazina
Shembet një objekt në Jabllanicë të Gjakovës, vdesin tre fëmijë

Shembet një objekt në Jabllanicë të Gjakovës, vdesin tre fëmijë

Kronika e Zezë
Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie

Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie

Magazina
Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!

Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!

Lajme
Dosja e Prokurorisë për planin e vrasjes në Pejë, grupi do të paguhej 30 mijë euro për vrasje e 7 mijë për plagosje

Dosja e Prokurorisë për planin e vrasjes në Pejë, grupi do të paguhej 30 mijë euro për vrasje e 7 mijë për plagosje

Drejtësi
Kalo në kategori