LAJMI I FUNDIT:

Gjykimi i Limajt, detaje nga fjala përfundimtare e prokurorit

Gjykimi i Limajt, detaje nga fjala përfundimtare e prokurorit

Në gjykimin e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për krim të organizuar, lidhur me veprën keqpërdorim i detyrës zyrtare, prokurori Charles Hardaway paraqiti fjalën përfundimtare.

Hardaway, i cili filloi deklaratën e tij me fjalinë se “korrupsioni në Kosovë është kancer”, përmendi në gjykatë SMS e komunikime në mes të të akuzuarve e dëshmitarëve dhe dëshmi të dëshmitarë të ndryshëm.

Ndër të tjera, Hardaway theksoi se MTPT nuk ka qenë e pavarur nga ana civile dhe ajo politike.


“Nëse nuk ka pasur ndikim të anës politikë në kohën kur z. Limaj ka qenë ministër, në anën civile brenda MTPT-së, atëherë pse kemi dhjetëra, nëse jo edhe qindra SMS dhe përgjime nga njerëzit që përdorin ndikimin brenda MTPT- së, për të marrë përfitime për veten e tyre”, tha Hardaway.

Paraprakisht, prokurori iu referua edhe raporteve të ekspertëve të cilat sipas tij janë shembuj se si mund të manipulohen ofertat në mënyrë që ndonjë kompani e caktuar të fitojë ofertën për tenderët e mirëmbajtjes verore të rrugëve gjatë kohës sa Limaj ishte ministër i Ministrisë së Transportit.

“Analizat e ekspertëve janë shembuj se si mund të manipulohen ofertat në mënyrë që ndonjë kompani e caktuar ta fitojë ofertën, njëra mënyrë është që të shkurtohet afati që parashihet nëse publikohet. Në këtë rast nuk ishte bërë ashtu, po ashtu edhe përjashtimi i kualifikimit, nuk ka pasur transparencë as këtu”, tha Hardaway.

Prokurori adresoi edhe një çështje tjetër, atë të cilën e ka ngritur mbrojtja, se kundër Limajt u organizua komplot nga akterët lokalë dhe ndërkombëtarë.

Në këtë rast, prokurori përmendi dëshminë e ish-hetueses finlandeze së këtij rasti, Marina Toivonen, e cila dëshmoi më 2 nëntor.

Në dëshminë e saj, Toivonen tha se ka dëgjuar thashetheme që ish- kryetarja e PSRK- së, Isabelle Arnald kishte urdhëruar ‘kapjen e Limajt, me apo pa prova’.

Lidhur me dëshminë e saj, Hardaway tha se nuk ka prova të cilat do ta mbështesnin këtë, do ta konfirmonin apo përkrahnin një gjë të tillë.

Prokurori tha se pretendimi i Limajt që Arnald ka thënë një gjë të tillë është i mbështetur në një ish- hetues të EULEX, Troy Wilkinson.

E për Wilkinsonin, prokurori tha se pas përfundimit të punës në EULEX, ai ka kontaktuar me mbrojtjen e Limajt, kështu duke propozuar që t’i bashkohet mbrojtjes si hetues, duke ofruar çfarëdo informate që ka pasur me rolin e tij në këtë rast, madje edhe është mësuar nga i akuzuari Endrit Shala se si dhe çfarë të flasë me gazetarë.

“Në provat e paraqitura nga prokuroria tregohet se si Endrit Shala i tregon Wilkinson që të flasë në lidhje me pyetjet që do t’i bëhen nga gazetarët. Në atë përgjim është e qartë që Shala e udhëzon që Wilkinson të përmend këtë deklaratë që pretendohet që është bërë nga zonja Arnald. Data e këtij përgjimi është 12 tetor 2011 dhe unë e kam një arsye konkrete se pse po e përmend këtë datë. Të nderuar gati një muaj më vonë, Limaj ka sugjeruar se Wilkinson i është bashkuar grupit si hetues apo si asistent i zotit Shala. Në thelb, ajo që prokuroria thotë është që komunikimet mes Troyit dhe mbrojtjes deri në atë ditë ishte thjesht të themi një provë”, tha Hardaway.

Prokurori përmendi edhe pretendimet e ish-kryetarit të gjyqtarëve të EULEX, Malcolm Simmons, pretendim ky të mbrojtjes të cilin e quajti “elefantin në dhomë”.

Prokurori tha se këto pretendime janë të rënda, por janë thjeshtë pretendime, ashtu që kërkoi nga trupi gjykues që të mos ta marrë parasysh.

Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar.

Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala.

Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Gjykimi lidhet me disa rrugë të asfaltuara në komunën e Gjilanit, transmeton kallxo.com.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Në seancën që mbahet nesër, mbrojtja do të thotë fjalën e saj përfundimtare, ndërkaq, shpallja e aktgjykimit do të bëhet të premten, pra më 24 nëntor.

Në trend Lajme

Më shumë
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori