LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, Propozim-ligji për gjuhën shqipe kalon në lexim të parë

Maqedoni, Propozim-ligji për gjuhën shqipe kalon në lexim të parë

Leximi i parë i propozim-ligjit për gjuhën shqipe ka marrë dritën jeshile.

Propozimi përpos deputetëve të shumicës parlamentare u votua edhe nga Lëvizja Besa dhe PDSH në Maqedoni. Më këtë konstatuan se ekziston nevoja për miratimin e këtij ligji. OBRM-PDUKM votoi kundër. Nga kjo parti nuk e mbështetën këtë propozim-ligj, duke thënë se me të nuk zgjidhet asgjë, por vetëm thellohet hendeku ndëretnik.

“Me këtë ligj nuk mbyllen problemet dhe çështjet e marrëdhënieve ndëretnike, përkundrazi, edhe kolegët nga BDI, BESA, ASH dhe PDSH paralajmëruan se ky është vetëm një hap dhe se çështja e përdorimit të gjuhës është e hapur dhe duhet të ketë përmasa të tjera. Dua të them se në këtë procedurë u shkel rregullorja dhe u keqpërdor simboli i BE-së me qëllim që të ulet sasia dhe cilësia e debatit në Kuvendin e RM-së”, u shpreh Ilija Dimovski, nga OBRM-PDUKM.


Për partinë e Ahmetit, ky votim e barazon gjuhën shqipe me atë maqedonase.

“Me këtë hapet rruga edhe për lexim të dytë, dhe për debatin e amendamenteve të mundshme në komisionin për çështje evropiane, që gjatë javës së ardhshme, të vijoj me miratimin përfundimtar gjatë këtij viti, të ligjit për përdorim të gjuhës, që do të sjell edhe barazinë gjuhësore të gjuhës shqipe me atë maqedonase në të gjitha organet e pushtetit qendror”, tha Artan Grubi, BDI.

Lëvizja Besa, tha se në fazën e dytë kjo parti do të parashtroj amendamente për zyrtarizmin e plot të gjuhës shqipe në nivel qendror.

“Do të përgatisim amendamente në drejtim të asaj që të zyrtarizohet ky ligj apo propozim ligj, në drejtim të intervenim në disa neneve që ne mendojmë se janë substanciale që ky propozim ligj ta marr formën dhe kuptimin që duhet të ketë dhe që është kërkesë e lëvizjes besa dhe partive shqiptare që ky propozim ligj ta zyrtarizon gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare dhe dytë në RM-së”, u shpreh Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Më 22 nëntor, nuk përjashtohet mundësia që propozimi të futet në komisionin amë, respektivisht Komisionin për Çështje Evropiane. Debati në këtë komision zgjat tre ditë. Pas kësaj, propozimi kalon në Komisionin juridiko-ligjvënës dhe më pas në seancë plenare për lexim të dytë./Telegrafi/