LAJMI I FUNDIT:

Perandori i ri i Kinës

Perandori i ri i Kinës

Një anekdotë rreth vizitës së presidentit amerikan Nikson në Kinë në vitin 1972, të cilës shpesh i referohen si konfirmim për pikëpamjen e ndryshme historike të liderëve kinezë. Zhou Enlai, numri dy i Maos, thuhet se iu përgjigj një pyetjeje për leksionet nga Revolucioni Francez, duke thënë se është shumë shpejt për ta parë. Në fakt, sipas diplomatëve që ishin atje, Zhou po diskutonte jo për revolucionin e vitit 1789, por për kryengritjen studentore në Paris të vitit 1968, ndaj mbase ishte shumë shpejt për të folur.

Pas këtij fillimi të gabuar, leksionet nga Revolucioni Francez u rikthyen në modë në Kinë. Menjëherë pas Kongresit të XVIII-të Kombëtar të Partisë Komuniste Kineze në 2012, u raportua se libri i shkruar në vitin 1856, Regjimi i Vjetër dhe Revolucioni nga Alexis de Tocqueville, ishte bërë një bestseller për zyrtarët e lartë. Meritat e librit u ngritën lart nga Uang Qishan, burri që drejtoi fushatën anti-korrupsion të presidentit Xi Jinping dhe mbase aleati më i fortë i tij.

Toqueville argumentonte se shtimi i begatisë në Francën e shekullit XVIII kishte bërë të vështirë të qeverisej vendi. Me t’u bërë të pasur njerëzit, gjithashtu bëhen më të ndërgjegjshëm për pabarazinë sociale dhe ekonomike dhe kështu u shtohet pështirosja për të pasurit dhe të fuqishmit. Përpjekjet për të reformuar sistemin, vetëm sa i nënvijëzuan vështirësitë. Revolucioni pasoi duke hequr monarkinë dhe aristokracinë. Kokat e tyre fluturuan me gjithë kuptimin e fjalës.


Kongresi Kombëtar i XIX-të i Partisë Komuniste Kineze, i cili sapo përfundoi, tregoi se sa për zemër i kishin marrë këshillat e Toquevillet liderët e Kinës. Xi mbrojti autoritetin e tij të padiskutuar brenda partisë dhe në vend. Ai konsolidoi pozicionin gjatë mandatit të parë, duke përmbysur shumë nga trashëgimia e Deng Xiaopingit, përfshirë hapjen e ekonomisë kineze, ndarjen e Partisë nga Qeveria dhe një qasje të ulët ndaj politikës së huaj dhe asaj të sigurisë.

Xi gjithashtu fshiu rivalë të mundshëm, duke u mbështetur kryesisht në fushatën e tij të thellë anti-korrupsion që shënjestroi zyrtarë që më parë mendoheshin të paprekshëm. Ai sapo mbikëqyri spastrimin më të madh të Komitetit Qendror të Partisë. Ai ka kundërsulmuar çdo kritikë, sado të largët, apo shenja të mosbindjes, dhe madje ndaloi shakatë në internet, përfshirë fotot që e krahasonin atë me Uini Puhin.

Në një vend tjetër, masa të tilla do të nxisnin qortime të ashpra, ku kritikët do ta akuzonin atë se po e kthen vendin në një diktaturë leniniste. Në Kinë, megjithatë, veprimet u vlerësuan nga vëzhguesit që besojnë se Xi po hap rrugë për përmbushjen e “ëndrrës kineze” për të ripërtërirë vendin.

Por, për disa ëndrra është në kufi të kthimit në makth. Trendët demografikë po kërcënojnë ta kthejnë tepricën e forcës punëtore – që ndihmoi rritjen e shpejtë të Kinës gjatë dekadave të fundit – në një mungesë force punëtore me një ritëm të paprecedent. Ndotja e ujit dhe mungesa e tij, bashkë me çlirimin e dioksidit të karbonit dhe niveleve helmuese të ndotjes së ajrit, po vënë në rrezik shëndetin e njerëzve dhe po rrezikojnë qëndrueshmërinë e performancës ekonomike të Kinës.

Për më tepër, rritja e PPB-së kineze po nxitet kryesisht nga një kombinim i borxhit që po rritet me shpejtësi dhe rritja e çmimit të pronave. Edhe kërkuesit kinezë pranojnë se vendi i tyre ka një nga nivelet më të larta të pabarazisë së të ardhurave në botë. Teksa të varfrit bëhen edhe më të varfër dhe të pasurit shtojnë pasurinë, shumë po pyesin nëse kjo është ajo që nënkupton vërtetë “socializmi me karakteristika kineze”.

Sigurisht, ka gjithnjë një opinionist që është i gatshëm të ofrojë një këndvështrim pozitiv. Kina ia ka shumicën e borxhit vetes, sepse prioritetet politike e drejtojnë huadhënien po aq sa konsideratat komerciale. Kina mbështet përpjekjet kombëtare për të zgjidhur degradimin mjedisor dhe ndryshimin klimatik. Shumica e njerëzve po përmirësojnë kushtet e jetës, pavarësisht se në mënyrë të pabarabartë. Dhe, administrata Xi, të paktën po bën diçka për të dënuar korrupsionin endemik në Parti.

Të gjithë duhet të shpresojmë që të paktën një pjesë e kësaj që thonë optimistët e Kinës të jetë e vërtetë: nëse pëson rënie rritja kineze, e gjithë ekonomia globale do të vuajë. Por, edhe nëse optimistët përligjen, pretendimi se Kina ka gjetur një mënyrë më të mirë për të drejtuar një shoqëri dhe ekonomi moderne duket shumë larg shënjestrës.

Sigurisht, nga sjellja e çuditshme mashtruese e presidentit amerikan Donald Trump te rritja dëmtuese e nacionalizmit populist në Evropë, vendet demokratike po presin hisen e tyre në këtë mesele. Por, sistemet demokratike kanë mekanizma të brendshëm që i japin atyre mundësi të rregullojnë veten pa kaluar në dhunë apo shtypje.

Ky nuk është rasti për Kinën e liderit Xi. Për vite, ka pasur një debat serioz në Kinë rreth gjendjes së shtetit në çështjet ekonomike. Një kamp thoshte se nëse CCP do ta lironte ekonominë, do të humbiste pashmangshmërisht kontrollin e shtetit. Të tjerë argumentonin të kundërtën: nëse Partia nuk jepte më tepër liri ekonomike, ajo do të humbiste fuqinë politike, pasi me shtimin e kontraditave ekonomike do të bëhej vendi më pak i qëndrueshëm. Xi qartazi mbështet kampin e parë.

Por, nuk është vetëm partia ajo që po fuqizohet nga Xi: ai po fuqizon edhe veten. Në fakt, është e vështirë të kuptosh kush po rritet në gradat komanduese të partisë dhe kush do të mbetet poshtë se nuk është dakord me liderin. Kjo nuk i ka penguar të jashtmit të spekulojnë, por nuk ka asgjë më shumë se hamendësim. Xi, ashtu si çdo perandor tjetër, do të vazhdojë të caktojë oborrtarë që do ta ndjekin atë kudo që ai do t’i çojë.

Por, me rritjen e fuqisë shtohet dhe përgjegjësia. Në këtë pikë, pushteti i liderit Xi është virtualisht absolut. Kjo është një barrë e madhe për një burrë. Xi mund të jetë shumë më i zgjuar se Trumpi (jo ndonjë stekë e lartë), por kjo nuk mjafton për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begattë për Kinën. Dhe, nëse gjërat shkojnë keq, gjithkush do ta dijë se kë të fajësojë. Ka një arsye përse dinastitë diktatoriale priren të përfundojnë në të njëjtën mënyrë. Nuk ke pse lexon Toquevillen për ta mësuar këtë. /Project Syndicate/reporter.al/