LAJMI I FUNDIT:

Irani akuzon SHBA-në për shkelje të marrëveshjes bërthamore

Irani akuzon SHBA-në për shkelje të marrëveshjes bërthamore

Irani ka akuzuar SHBA-në për shkeljen e marrëveshjes mbi programin të tij atomik, ndërsa Uashingtoni ka paralajmëruar kundër monitorimit të dobët të aktiviteteve bërthamore të Teheranit, gjatë takimit të sotëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).

“Ne nuk do të pranojmë një marrëveshje të mbikëqyrur në mënyrë të dobët ose të papërshtatshme”, tha sekretari amerikan i Energjisë,  Rick Perry në Vjenë, duke dhënë një mesazh në emër të presidentit, Donald Trump.

Paralajmërimi erdhi pas njoftimit se  administrata amerikane është duke shqyrtuar qëndrimin e saj ndaj marrëveshjes bërthamore me të cilën Uashingtoni ka rënë dakord nën drejtimin e paraardhësit të Trumpit,  Barak Obama, së bashku me pesë fuqitë e tjera globale.


Trump dhe zyrtarët e lartë amerikanë janë skeptikë ndaj Iranit lidhur me respektimin e marrëveshjes nga ana e tij, duke përmendur përpjekjet e mëparshme të vendit islamik për të fshehur programin e tij bërthamor dhe mbështetjen për ekstremistët jashtë vendit.

Zëvendëspresidenti iranian , Ali Akbar Salehi, i cili drejton programin bërthamor të shtetit, u ankua në takimin e IAEA se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqeshin të prishnin marrëveshjen.

Marrëveshja e vitit  2015 është hartuar për të parandaluar Iranin nga ndërtimi i armëve atomike duke zvogëluar programin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.