LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet besnikëri ndaj shtetit, e jo partisë

Kërkohet besnikëri ndaj shtetit, e jo partisë

Sot u realizua panel-diskutim në organizim të Ministrisë për shoqëri informatike dhe administratë, ambasadës së Britanisë së Madhe në Maqedoni dhe Institutit për hulumtime gjeostrategjike pranë Ministrisë për punë të jashtme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski foli për sfidat me të cilat ballafaqohet Maqedonia në një kohë kur me ndryshimin e partive në pushtet edhe shteti bën transformim nga një regjim hibrid në demokraci.


“Sfida kryesore është si të sigurohet rrjedhë e pandërprerë e proceseve në vend. Qytetarët dhe sektori i biznesit duhet të vazhdojnë t’i marrin shërbimet edhe krahas ndryshimeve të mëdha në administratën qeveritare dhe nënkuptohet se të gjithë këto sfida janë të ndërlidhura me nëpunësit shtetëror. Profesionalizmi i tyre urdhëron besnikëri ndaj unstitucionit dhe politikat që udhëheqësia e saj sjell me vete, por para së gjithash urdhëron besnikëri ndaj shtetit, e jo partisë”, tha Mançevski

Paanshmëria, altruizmi, integriteti janë nga kushtet themelore për një administratë publike efikase, tha në diskutim Simon McDonald, nënsekretari i përhershëm i Ministrisë për punë të jashtme të Britanisë së Madhe.

“Britanisë së Madhe i duheshte kohë e gjatë për të arritur në nivelin e tanishëm të funksionimit të administratës publike”, tha McDonald, duke përkujtuar se Ministria e Punëve të jashtme të Britanisë së Madhe është formuar në vitin 1782.

“Kur e mira publike do të vendoset para interesave vetore dhe kur kuadri më i mirë do të punësohet në çdo pozitë pune, atëherë mund të thuhet se keni administratë publike profesionale dhe të pavarur dhe motivimi më i mirë për të punësuarit duhet të jetë ajo që punojnë në shërbim të qytetarëve të tyre”, u shpreh McDonald./Telegrafi/