LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Tajlanda synojnë të rrisin bashkëpunimin dy-palësh

Kosova dhe Tajlanda synojnë të rrisin bashkëpunimin dy-palësh

Pas njohjes zyrtare të Republikës së Kosovës nga ana e Mbretërisë së Tajlandës të dyja vendet po synojnë që të thellojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin bilateral në mes të dyja vendeve.

Në ndjekje të këtij qëllimi, një delegacion i lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Tajlandës pritet ta vizitojë zyrtarisht Republikën e Kosovës në fillim të javës së ardhshme.

Delegacioni i lartë diplomatik tajlandez veç takimeve bilaterale, që pritet t’i zhvillojë me homologët e tij nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës do të nënshkruajë edhe një Memorandum Mirëkuptimi në mes dy Ministrive, që synon të hap mundësi të reja për të dyja vendet respektive.


Gjatë qëndrimit në vendin tonë ata do të vizitojnë edhe monumente kulturore dhe qytetin historik të Prizrenit.

Ndryshe, Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Tajlandës kanë nënshkruar Marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitin 2013, pak kohë pas njohjes zyrtare nga ky shtet, duke u pajtuar që të shkëmbejnë përfaqësues diplomatik në nivel ambasadorësh.

Në mbështetje të kësaj, Republika e Kosovës së shpejti pritet të hap misionin e saj të parë diplomatik në Bangkok.