LAJMI I FUNDIT:

Kelmendi: Më mirë zgjedhje se sa të tregohen ‘virtytet’ tona politike

Kelmendi: Më mirë zgjedhje se sa të tregohen ‘virtytet’ tona politike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi thekson se duke parë gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht vendi dhe ngërçi i krijuar më mirë është të shkohet në zgjedhje sesa të tregohen virtytet politike.

Ai më tutje shton, se bashkëpunimi LAA dhe VV është i mundshëm vetëm nëse në krye të qeverisë vjen  kryeministri nga radhët e LDK-së, kjo sepse besimi se VV është properëndimore është tepër i vogël.

Ky është postimi i tij i plotë në Facebook:


“Në pritje të votave të cilat nuk po vijnë, deputetët individual dhe as partitë në kuadër të koalicioneve parazgjedhore nuk po lëvizin meqë programet e tyre politike të prezantuara e po pamundësojnë të ndodhë një gjë e tillë. Së pari për shkak të dinjitetit politik dhe së dyti për shkak të zgjedhjeve lokale që janë afër dhe mundësisë reale të sanksionimit për veprimet politike.

Dihet se PAN-i me kandidatin për kryeparlamentar këmbëngulë për Kadri Veselin dhe sipas virtyteve tona, nuk ka asnjë akterë njerëzorë në kuadër të PDK-së apo PAN-it për ta detyruar apo bindur Veselin të heqë dorë nga kandidatura. Zvarritje deri në pafundësi!

Ky është virtyti i kosovarit dhe nga kjo nuk lëvizë asnjë centimetër. E kundërta edhe po të lëshonte rrugë Kadri Veseli atëherë do binte marrëveshja e koalicionit ku në atë rast nuk do kalonte as kandidati për kryeministër z. Ramush Haradinaj. Derivat i kësaj përsëri do ndodhte ngërçi apo edhe krijimi i kushteve për të shkuar në zgjedhje.

Dihet se VV-ja nuk i bashkëngjitet PAN-it për asnjë arsye edhe në qoftë se është me interes kombëtar. Edhe LAA është thellësisht i çimentuar në qëndrimet e veta për të mos mbështetur PDK-në dhe Kadri Veselin në asnjë mënyrë. Edhe ky është virtyt kosovar. Në anën tjetër, është edhe e arsyeshme mos-mbështetja sepse rrethana të tilla janë krijuar nga vet PDK, për një mosbashkëpunim.

Bashkëpunimi LAA dhe VV i mundshëm vetëm nëse në krye të qeverisë vie kryeministri nga radhët e LDK-së, kjo sepse besimi se VV është properëndimore është tepër i vogël. Duke parë se vendosën vetëm kravatat, në të tjera pozicione nuk kanë lëvizur fare. Andaj edhe koalicioni i cili ndërton qeveri me dyshime si anti-perëndimore, nuk mundë të gjejë përkrahjen as tek LAA e as tek pakicat dhe Lista serbe. Kjo pasqyrë nuk është ndryshe veçse një ngërç politik i krijuar nga koalicionet e shpejta dhe me virtyte kosovare që praktikisht e dëmton edhe imazhin, edhe politikën, edhe ekonominë e Kosovës si dhe shtonë dyshimet, se politika e Kosovë nuk është në gjendje të ngrisë institucione të lira, por institucione të diktuara.

Duke pasur parasysh këto virtyte dhe implementimin e tyre, është më se domosdoshme të ndërhyjnë ndërkombëtarët, për t’i dhënë kahe zgjedhjeve më të shpejta dhe me kushtin që të groposen këto virtyte, meqë politikanët duhet të vendosin përpara pjekurinë njerëzore, interesin e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës përfshirë zhvillimin ekonomik të saj. Andaj nga kjo del se humbja më vogël ekonomike është kostoja zgjedhore, e që është shumë herë më e vogël se sa kjo agoni dhe pamundësi e krijimit të institucioneve edhe ashtu të brishta”.