LAJMI I FUNDIT:

Viktimat e dhunës në familje, vuajnë në heshtje

Viktimat e dhunës në familje, vuajnë në heshtje

Gratë që janë viktima të dhunës në familje ngurrojnë për vite përpara se t’i denoncojnë bashkëshortët e tyre të dhunshëm në polici, por megjithatë edhe pas denoncimit jo gjithmonë ato gjejnë mbështetje për ta çuar çështjen gjyqësore deri në fund.

Nertila. K sapo ka përfunduar një seancë konsultimi me psikologen e organizatës ‘Kundër Dhunës në Familje’ në Berat. 30-vjeçarja, nënë e një vajze shtatë vjeçe, ka vendosur të ndahet nga bashkëshorti dhe që prej muajit Janar jeton pranë familjes së motrës në Kuçovë, ku po përpiqet të drejtojë vetë jetën e saj pas një martese nga e cila kujton vetëm dhunën që ka duruar. E heshtur dhe gati e trembur në çdo hap që hedh ajo tregon se po gjen forcë për të ecur përpara fal punës në një nga fasoneritë e qytetit, ndërkohë që e vetmja gjë që dëshiron është t’i jap fund makthit, siç e quan martesën e saj.

“Unë jetoja në fshat dhe pas shkollës tetëvjeçare punoja në shtëpi me punët e përditshme dhe si çdo vajzë tjetër ëndërroja që dikush të kërkonte dorën pranë familjes, pasi mundësitë në Qereshnik për të dal dhe për të njohur vetë djem nuk ishin,” thotë Nertila për BIRN.


Ashtu ndodhi: një i afërm nga fisi, kur sapo ajo u bë 22 vjeçe, i propozon një djalë nga një tjetër fshat i zonës, i cili sipas Nertilës kishte nevojë për dashuri dhe përkujdesje pasi jetonte vetëm me gjyshen pas divorcit të prindërve. Për vajzën, bashkëmoshatari nga fshati Bogdan mund të ishte burri që do t’i ofronte një jetë normale dhe plotë fëmijë, ashtu siç fati i kishte ofruar motrave dhe vëllezërve të saj.

“Nuk zgjati më shumë se disa muaj që nga njohja dhe deri tek martesa, sepse unë pash një djalë të urtë në dukje, që ishte rritur nga një gjyshe, që përpiqej të punonte sezonal në firmat e nxjerrjes së gurit dhe ne u martuam,” tha Nertila me zë të ulët dhe një trishtim që duket se jeton bashkë me të.

Muajt e parë i kujton si ditët më normale të jetës së saj të re, ku vetë kujdeset për punët e shtëpisë dhe bashkëshorti punonte sa herë që kishte mundësi. Me lidhjet familjare të prindërve dhe dy vëllezërve dhe tre motrave që i mban ende të forta Nertila tregon se ndihej mirë që pranoi propozimin e bërë, duke pranuar se mund të konsiderohej me fat.

“Por, që pas lindjes së vajzës dhe deri sa ajo u bë tashmë shtatë vjeçe jeta ime u shndërrua në një ferr të vërtetë,” thotë ajo.

Nertila tregon se komunikimi mes saj dhe bashkëshortit mbyllej ende pa nisur, sapo ai vinte në shtëpi dhe ia linte vendin të bërtiturave, grushteve, shqelmave, sepse mund të ndodhte që vajza të qante, apo se darka nuk ishte gati, apo se ajo mund të ishte duke folur në telefon me njerëzit e saj.

“Nuk di të them se për çfarë ai bëhej nervoz ose bërtiste, apo më përplaste në çdo cep të shtëpisë, pasi gjithmonë gjente një arsye dhe gjithmonë donte të kishte të drejtë”, kujton ajo.

“Fillimisht ishte puna ajo që bëhej shkak për nervozizmin e tij, pasi punonte pak sepse s’kishte punë, shpenzimet po rriteshin së bashku me rritjen e vajzës, ndërkohë që dhe gjyshja nuk ndihmonte dot më në punët e bujqësisë,” shtoi Nertila.

Rasti i Nertilës nuk është i vetëm. Ai është vetëm një prej shumë rasteve të dhunës në familje që Drejtoria e Policisë së Qarkut të Beratit ka regjistruar në shtatë muajt e fundit. Për periudhën nga Janari deri në korrik në sallën operative të kësaj drejtorie kanë mbërritur 232 telefonata për konflikt në familje. Specialistët nënvizojnë se kemi të bëjmë me një shtim të rasteve të dhunës që nga ajo psikologjike e fizike.

Por, ndërsa për të denoncuar konfliktin në polici femrat e kanë më të lehtë, për ta ndjekur çështjen në organet e tjera gjyqësore duket se e kanë më të vështirë.

“Gjatë periudhës janar-qershor 2017, në Juridiksionin e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, janë evidentuar 98 raste dhune brenda familjes, ku nga këto 49 raste janë proceduar me kërkesë padi, për Lëshimin e Urdhërit të Mbrojtjes, referuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, bëhet e ditur nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Beratit pas një kërkese për të drejtën e informimit nga BIRN.

Për Hajrie Gurrin psikologe pranë organizatës Kundra Dhunës në Familje, shpesh herë viktikimat e dhunës i tërheqin denoncimet e tyre.

“Gruaja ndan të njëjtën banesë me bashkëshortin dhe pse ka siguruar një urdhër mbrojtje sepse nuk ka se ku të shkojë,” shpjegon Gurri. “Papunësia i bën të varura dhe në këto kushte ato nuk i çojnë deri në fund çështjet për ushtrim dhune”.

Në sallën operative të Drejtorisë së Policisë Berat, Nexhip Qama punon nënkomisar dhe që prej 12 vitesh si specialist turni. Nga 20 vite në total si punonjës policie, Nexhipi vitet e fundit i ka kaluar i ulur në karigen e sallës operative, ku disa telefona fiks, por dhe celularët vihen në shërbim të qytetarëve.

Ndërsa e vlerëson punën e tij pasi në këtë mënyrë u shërben qytetarëve kur ata kanë nevojë, Qama me vitet në supe që ja tregojnë flokët që kanë nisur t’i zbardhen, thotë se ato që e kanë prekur më shumë së fundmi janë telefonat që denoncojnë rastet e dhunës në familje.

“Nuk ka tetë orarësh turni që mos të ketë një telefonatë që denoncon konflik në familje,” thotë Qama për BIRN. “Telefonojnë kryesisht gra të alarmuara se kanë konflikt me burrat, telefonojnë vajza që kanë konflikt me vëllezër, telefonojnë gjyshër që kanë konflikt me nipër dhe me mbesa dhe më të pakta janë rastet që telefonojnë burra për dhunë nga gratë e tyre,” shton ai.

Qama thotë se për rastet e dhunës në familje njoftohet menjëherë grupi i gatshëm, inspektori i zonës dhe në vijim vazhdohet çështja.

“Në polici vijnë telefonata me të qara, vijnë telefonata të alarmuara, gjë që tregon se telefonuesit , kryesisht femra kanë duruar shumë dhe policia është mbështetja e tyre e vetme ku mund të drejtohen, pasi i kanë kaluar konsultimet me familjen, apo fisin,” tregon oficeri i policisë.

“Unë jam baba i katër fëmijëve dhe pas një dite pune të lodhshme ajo që dua të siguroj në familjen time është qetësia, e cila duket se po mungon në familjet tona,” thotë Qama.

Qetësia së cilës i referohet Qama ka munguar dhe në jetën bashkëshortore të Nertilës. Ajo tregon me detaje çdo rast dhune që ka përjetuar në shtatë vite e gjysëm të martesës së saj si të kenë ndodhur të gjitha dje, ashtu siç nuk harron përpjekjet e familjarëve të saj për ta shpëtuar nga situata.

Për muaj të tëra i shmangia vizitat tek prindërit, motrat apo vëllezërit, pasi i trembesha syrit të tyre. Ata kishin kuptuar se gjërat në martesën time nuk po shkonin mirë, por ëndërroja çdo ditë që ai të ndryshonte dhe çdo gjë e mbaja të fshehtë, pohon ajo.

Unë nuk mbaj mend festa, apo gëzime në atë shtëpi, pasi bashkëshorti im çdo gjë e mbyllte me të bërtitura, me sharje dhe me dhunë, sepse për të unë isha problemi në çdo gjë që nuk shkonte siç duhej, për të unë isha gabimi, tregon Nertila.

Me shpresën se gjërat mund të rregulloheshin me një ndryshim në jetën e tyre çifti vendos disa vite më parë që të ndërtoj një jetë të re në Berat duke vendosur që Nertila të punojë në fasoneri dhe bashkëshorti të gjente punë ku të mundte.

Rregulluam dhe morëm një kredi me të cilën e sistemuan shtëpinë dhe unë punoja gjithë ditën, ndërsa bashkëshorti vazhdonte të punonte në firmat e gurit sa herë që gjente dhe unë shpresoja se gjërat do të rregulloheshin, por ato u bënë më keq, tregon Nertila si e zënë në faj për vendimin që ajo vetë kishte propozuar.

Gjërat u bënë më keq sepse problemeve tona i lindi dhe një shkak i ri, xhelozia. Bashkëshorti më akuzonte se nuk shkoja në punë se e tradhtoja, se flisja në telefon me meshkuj të tjerë dhe të gjitha këto bëheshin shkak për ushtrim dhune,” thotë ajo.

E gjithë kjo situatë vazhdon deri në Janar të këtij viti, kur gruaja e re denoncon bashkëshortin në polici për ushtrim dhune, gjë e cila sjell arrestimin e tij, por që nuk do të zgjas shumë.

“Nuk mund të duroja dot më. Jeta ime po shkonte çdo ditë e më keq dhe në janar shkoj në policinë e Beratit ku e denoncova burrin, por së bashku me denoncimin bëra dhe një gabim shumë të madh, e tërhoqa atë pas disa ditësh dhe nga i arrestuar ai u la me detyrim paraqitje,” tregon Nertila.

“Pasi e denoncova pyeta veten se mos pas arrestimit ai do të ndryshonte dhe se gjërat mund të merrnin për mirë për familjen time. Unë fitova një urdhër mbrojtje të lëshuar nga gjykata, por menjëherë sapo erdhi në shtëpi ai u bë më keq sepse më kujtonte çdo ditë denoncimin, “ shtoi ajo.

Pa asnjë shpresë për të shpëtuar martesën e saj, e lodhur nga vitet e gjata të dhunës që në rastin e saj shfaqen të të gjitha format, Nertila vendos që të shkoj në banesën e motrës së saj, ku jeton prej disa muajsh në pritje të procesit të divorcit.

“Tashmë çdo gjë ka marrë fund. Kam marrë një vendim që mos të kthehem më pas. Shoqata po më ndihmon që të më ndjek procesin e divorcit me një avokat dhe në shtator çdo gjë do të marr fund,” thotë Nertila.

Në trend Lajme

Më shumë
Osmani takohet me admiralin Bauer: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi është prioritet strategjik për Kosovën

Osmani takohet me admiralin Bauer: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi është prioritet strategjik për Kosovën

Lajme
Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet babai i 14-vjeçarit: Janë dy vrasës, njëri është ende i lirë

Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet babai i 14-vjeçarit: Janë dy vrasës, njëri është ende i lirë

Lajme
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Lajme
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Lajme
Boshatisen qendrat e emigrantëve! Operatorët largohen nga Shëngjini e Gjadri

Boshatisen qendrat e emigrantëve! Operatorët largohen nga Shëngjini e Gjadri

Lajme
Plagosja e dy personave në Prishtinë – policia arreston të dyshuarin

Plagosja e dy personave në Prishtinë – policia arreston të dyshuarin

Kronika e Zezë
Kalo në kategori