LAJMI I FUNDIT:

Nano kërkon ndjesë për fyerjet ndaj Moikom Zeqos, por s’tërhiqet nga deklaratat për “nënën serbe” të Skënderbeun

Nano kërkon ndjesë për fyerjet ndaj Moikom Zeqos, por s’tërhiqet nga deklaratat për “nënën serbe” të Skënderbeun

Pas deklaratës së Mustafa Nanos se nëna e Skënderbeut ka qenë sllave (serbe), Moikom Zeqo botoi një shkrim ku i kundërvihej kësaj teze, së bashku edhe me shumë reagime të tjera, mes të cilave edhe ato të avokatit Spartak Ngjelës që shprehej se Nano ishte i paguar nga islamikët apo Artan Shkrelit që thoshte se bëhet fjalë për një “tezë sllave”.

I ftuar në studion e Turian Hyskës në “Vizion Plus”, Nano do t’i merrte me radhë të gjithë “sulmuesit” e tij, duke u vënë nga një “epitet”. Spartak Ngjelën e konsideroi “idot”, Shkrelin “racist”, ndërsa reagimin e Moikom Zeqos e krahasoi me atë të një të sëmuri psikik.


Pasi kanë kaluar disa ditë, duket se Mustafa Nano është penduar për reagimin e tij kundrejt Moikom Zeqos. Ai i ka kërkuar atij ndjesë publike në programin e Enkel Demit “Fol me mua, fol me ata”, ku ishte i ftuar për të folur për librin e tij më të fundit, “Sandwich; A është mirë me qenë shqiptar”.

“Ishte një reagim i shpërpjestimuar nga ana ime. Ishte një reagim në të nxehtë. Moikom Zeqo nuk i ka hak ato fjalë”, tha Nano, duke vlerësuar studiuesin.

Por, fakti se ai kërkon ndjesë nuk do të thotë se ai po ashtu pajtohet me shkrimin e Zeqos.

“Kjo nuk ndryshon asgjë në pjesën tjetër. Unë nuk mund të pajtohem me shkrimin e tij, më saktë me frymën e atij shkrimi, apo me rolin prej gardiani të nderit nacional që ai i dha vetes kur zuri të thoshte ‘mjaft, mjaft, mjaft me Skënderbeun’. Por përsëris, kjo nuk e justifikon qëndrimin tim ndaj tij. Shfrytëzoj rastin për t’i kërkuar ndjesë. Jo vetëm atij, por edhe publikut”, shtoi Nano.

Në programin e Enkel Demit, Nano “la pas Skënderbeun” dhe u ndal në një tjetër çështje ende të pazbardhur në historinë e shqiptarëve, atë të vijueshmërisë iliro-arbër.

“Origjina ilire e shqiptarëve nuk është një gjë tërësisht e provuar”, tha Nano.

Këtë temë ai e ka prekur edhe në librin e tij “Sandwich”.

Ai ironizon me përpjekjet që janë bërë për t’i nxjerrë shqiptarët madje si pasardhës të pellazgëve

Më poshtë mund të lexoni pjesë nga libri i tij:

“Dalldia shqiptare prej origjinës pellazge vijoi gjatë. Një numër intelektualësh iu vunë punës për të gjetur toponime e antroponime greke që e kishin burimin te pellazgjishtja, për të cilën nuk është se dinin ndonjë gjë. Por ani, njihnin gjuhën që rridhte prej saj, shqipen.

Një përmbledhje e gjurmimeve etimologjike në gjuhën shqipe që kinse të çojnë tek origjina pellazge a ilire e saj është bërë në një numër të veçantë të revistës “Leka” me titullin “Të drejtat e Shqipnisë ethnike”, vëllimi I, me nëntitullin “Tagret e Shqipnisë për pamvarsi politike”. Ky numër i veçantë është i vitit 1944, dhe është i përgatitur në përgjigje të ftesës që Instituti i Studimeve Shqiptare u bënte intelektualëve shqiptarë “t’epshin ndihmesën e tyre në mbledhje të dokumentavet qi dëshmojnë të drejtat e Kombit t’onë për pamvarsinë kombtare”.

Ishte momenti kur, me ç’duket, intelektualët e shkencëtarët shqiptarë u vunë në lëvizje për të bërë gati kredencialet akademike, me të cilin ata mendonin të kërkonin e përligjnin një trajtim special të Shqipërisë në rast se Lufta II do të përfundonte, larg qoftë, me fitoren e nazizmit. Dhe në kapitullin e parë, duke folur për “xanafilljen e shqiptarve”, bëjnë një listë të fjalëve të rëndësishme të kulturës e të mitologjisë së Greqisë antike që shpjegohen me fjalë të shqipes moderne:

“Kështu, thotë H. Kiepert, Zeus rrjedh nga me nxe, pse Zoti nxen e ngjall gjithçka; Aspetos, emër nën të cilin ishte nderue Akili n’Epir, rrjedh nga a(i) shpejtë; Theti, hyjneshë e detit dhe e ama e Akilit, rrjedh nga deti; Rhea, e bija e Tokës dhe e ama e Zeusit, rrjedh nga emri a nga adjektivi e re, e reja; Afrodite, hyjnesha e dashunisë, nga afron dita, pse planeti që i asht kushtue dhe e përfytyron shkëlqen në nji mënyrë të posaçme ne e nade;

Penelope, e shoqja e Yliksit, rrjedh nga pen lypë, pse për t’u bishtnuem dëshireve të lakmuesvet të saj e për t’i ndejë besnike të shoqit, u thonte atyne se do t’u plotsonte dëshiret porsa t’mbaronte pëlhurën qi ishte tue bamun: veçse nuk e mbaronte kurr pse natën prishte çka kishte bamun ditën; mbas A. Gjikës, Athena, hyjnesha e dijes qi duel e armatosun nga koka e Zeusit, rrjedh nga e thënë ase nga thane-ja = fjalë mendore; Kora, hyjnesha e korrës, rrjedh nga korrë-a, e Poseidhoni, i biri i Saturnit e hyu i detit, rrjedh nga pas (përtej) dhenash;

Poseidhoni quhet edhe Neptuni, emën qi, sipas Atë Gjeçovit, rrjedh nga nep të tundun; kështu edhe Saturni mund të quhet Kroni, që don me thanë i kunoruem: në nderë të tij shqiptarët ngrehën nji kështjell në maje të Gurit të Kuq, afër Finikut, ku ishte dhe qyteti i Kronit, sot fshati i Krongjit në rrethinë të Delvinës”. Mirëpo, merret vesh, një matching game i tillë nuk përbën provë për asgjë. E shumta, mund të jetë një gjë argëtuese”. /mapo/

Në trend Lajme

Më shumë
Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Kronika e Zezë
DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

Lajme
Kurti publikon statistikat: Serbia po propagandon për dhunën ndaj serbëve në Kosovë

Kurti publikon statistikat: Serbia po propagandon për dhunën ndaj serbëve në Kosovë

Lajme
Ymeri: Mos pranimi i Kosovës në KiE është dështim i Qeverisë Kurti

Ymeri: Mos pranimi i Kosovës në KiE është dështim i Qeverisë Kurti

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Iu bë atentat në Bruksel më 28 prill, ndërron jetë Agustin Kaza - dyshohet se u vra për gjakmarrje

Iu bë atentat në Bruksel më 28 prill, ndërron jetë Agustin Kaza - dyshohet se u vra për gjakmarrje

Lajme
Kalo në kategori