LAJMI I FUNDIT:

Kleptokracia, ideokracia dhe qytetari i hutuar

Kleptokracia, ideokracia dhe qytetari i hutuar

Nëse synoni të jeni udhëheqës dhe nuk keni përcjellës, qoftë edhe në rrjetet sociale, ju thjesht keni dal për shëtitje. Nuk ka udhëheqës pa përcjellës, thonë ekspertët e lidershipit. Jo vetëm kaq. Nëse nuk arrini të bëni që njerëzit të punojnë ”për ju”, pa i detyruar, ju nuk jeni lider. Pushteti aktual, në ikje, duket se i ka humbur përcjellësit e vet. Bazuar në numrat që dolën nga zgjedhjet e reja, ata kanë ikur te opozita. Demokratët dhe ideokratët janë vënë përballë në tezgën tonë politike.

Kur teoria nuk përputhet me praktikën duhet ndërruar praktikën, thoshte dikur udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha. Ideokratët në përgjithësi mendojnë se njerëzit nuk dinë të zgjedhin dhe se ata duhet të sundohen vetëm sipas modelit të tyre, për të cilin ata mendojnë se është i përsosur dhe i duhuri për popullin. Natyrisht, krejt kjo imponohet, pa i pyetur nëse ata e duan këtë, model, ndërkohë që jeta reale ka gjithnjë alternativa të tjera.

Por, adhuruesit e ideve ose besnikët e ideve, duke u nisur nga parimi se qytetari nuk di të zgjedh, e ndajnë shoqërinë në “ne” dhe “ata”. Kështu, socialistët e shekullit të kaluar mendonin se realiteti duhet të rindërtohet sipas teorisë së Marksit, Engelsit, Leninit, si dhe praktikave të më vonshme sovjetike dhe kineze. Kishin ndërtuar modelin teorik dhe të njëjtin e impononin si të vetmin dhe më të mirin e mundshëm, pra edhe të detyrueshëm për të gjithë shtetasit. Pushteti absolut, në emër të klasës i takonte pararojës së saj e cila e kishte formën e një mekanizmi social për të përqafuar fjalën e udhëheqësit të pagabueshëm dhe për të mbrojtur interesat e një oligarkie, që sundonte përmes një ideokracie.


Pra, ideja e “drejtësisë” dhe e “vërteta” e tyre ishin më të rëndësishme se njeriu dhe qytetari, kështu që kush mendonte ndryshe ishte armikuiI cili duhej shkatërruar. Historia e shekullit të kaluar është e mbushur me popullizëm, i cili më së keqi degjeneroi me revolucionin kulturor kinez, kur proletarët dhe fshatarët e varfër, kryesisht analfabet ose me shtysën ideologjike të broshurave maoiste, synonin të ndërtonin vet parajsën në tokë duke zhdukur gjithë dijen e gjeneratave dhe pasurinë e krijuar. Ngjashëm ndodhi edhe me racën superiore ariane dhe nacionalsocializmin, ku ideja e socializmit dhe kombit superior u imponua në mbrojtje të interesave të oligarkëve në korporatat e mëdha nacionale, kryesisht gjermane, por jo vetëm ato. Ato “ide të mëdha” ranë duke vrarë dhe terrorizuar me qindra miliona njerëz në emër të ideve dhe të vërtetës. Kështu ishte më herët edhe inkuizicioni.

Nga zhvillimet në dekadën e fundit, mund të thuhet se edhe ndër ne sërish janë mobilizuar rrjetet në emër të ideve të mëdha, të cilat për ideolog kanë marrë personalitete, të pagabueshme gjithsesi, me të cilat ide nuk lejohet të debatohet, por vetëm kërkohet pranimi I tyre pa kushte dhe nënshtrimi ndaj ideokracisë së re. Linqohet çdokush që kundërshton, sidomos nga ata që kanë marrë rolin e përfaqësuesve të zotit në tokë.

Përfaqësuesit natyrisht nuk presin që qytetarët të kuptojnë dhe të vlerësojnë idenë e tyre, se në fund të fundit kush janë qytetarët të vlerësojnë profetin. Mbetet vetëm nënshtrimi. Është sulmuar vetë paradigma. Sistemi i vlerave është shpartalluar dhe shoqëria ngjan me një barkë të humbur në oqeanin e pafund e cila nuk ka idenë se ku po shkon, apo më saktë kah po e qojnë valët.

Në të njëjtin profil gjen lajme për parada të homoseksualëve dhe iftare kolektive në rrugë, për ngjyra të ndryshme flamujsh, për një të folur ku brenda një fjalie janë rehatuar barbarizma nga të gjitha perandoritë e mëdha përfshi edhe ato moderne.

Islami politik dhe nacionalizmi i vonuar, rilindas, janë alternativat e një shoqërie qytetare, krejtësisht të brishta. Qytetari i hutuar po bëhet pjesë e masës e cila do të imponojë modelin.

Është e qartë se integrimi islamik synon një mënyrë jetese e cila dallon nga ajo “perëndimore” dhe një formë të sundimit që bazohet në Sheriatin që bie ndesh me orientimin e shumicës së qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës. Këta, përmes angazhimeve sociale dhe politike aspak nuk e fshehin synimin që përmes një procedure demokratike me suspendua demokracinë. Pushteti në emër të Zotit ofrohet si alternativë, pasi qytetari qenka treguar i padijshëm dhe pafuqishëm. Idetë autoktone janë vjetruar dhe nuk e mbijetuan urbanizimin, ndërkohë që inteligjenca vendore nuk arriti të artikulojë nevojat reale të shoqërisë, por thjesht përktheu modele për të cilat edhe siguroi financa nga jashtë. Ukshin Hoti, me demokracinë e tij autentike, ka shumë gjase se sërish do të përfundonte në burg. Asgjë autentike nuk i mbijeton lirisë së sjellur.

Prandaj, raporti i forcave solli koalicione nga më të panatyrshmet. Kështu ndodhë kur civilizimet përplasen në oborrin tënd të vogël, kur fuqitë globale matin forcat në hapësirë kaq të vogël. Për pasojë, elektorati I përzier solli edhe përplasjet polItike, kryesisht virtuale rreth iftarit (jo)politik në Kamenicë. Përçarja rreth kësaj çështjeje mund të dobësojë dukshëm partinë më të fuqishme në vend e cila u bë e tillë edhe falë angazhimit kundër islamofobisë.

Islamofobia te ne, nëse ekziston, e ka burimin te përpjekja që të ndërrohet mënyra e jetesës dhe e qeverisjes me modele aziatike, e sidomos te gatishmëria që për të arritur këtë qëllim të mos zgjidhen mjetet. Kjo paraqitet si alternativë eurointegrizmit dhe ky konflikt duket se vetëm sa do të thellohet. Krijuesit e krizave llogarisin në energjinë që mund të prodhojë ky konflikt.

Sido që të jetë, përcjellësit e tyre po shtohen dhe kjo është shfaqur si alternativë. Përpjekja për masivizim përmes aktiviteteve sociale në formën e iftarit nëpër sheshe dhe tenda, me financime nga “vendet islame”, po ashtu po shihen me shqetësim nga laikët dhe eurointegristët të cilët këtë e shohin si një integrizëm islamik. Duke qenë se kjo megjithatë promovohet si alternativë qeverisjes aktuale, dhe se një pjesë e përcjellësve të pushtetit kanë ikur pikërisht në këtë tabor, atëherë koketimi i politikës me qarqet fetare të politizuara është bërë i dukshëm dhe ka marrë formën e procesit.

Kështu dalim sërish te udhëheqësit dhe “përcjellësit” e tyre. Liderët kosovarë, të pasluftës, të cilët përkundër deklaratave pompoze nuk arritën të vënë në themel të shtetit dhe shoqërisë qytetarin me të drejtat, liritë dhe obligimet e tij, sipas modelit evropian, por të habitur pas pasurimit të shpejtuar dhe të lehtë, harruan të ndërtojnë fare themelet e shtetit dhe u dhanë pas dizajnimit të një kulmi të bukur, dhe të një realiteti “Potemkin” me përcjellës virtualë dhe shumë zhurmë mediale prej mediave marionete.

Mossuksesi në këtë fushë forcoi “profetët”. Kështu e humbën kontaktin me realitetin duke u shndërruar në një forcë të huaj mbi qytetarin, ndërkohë që qytetarët kërkonin dikë që të bisedojë me ta dhe t’ua sqarojë se çfarë po ndodhte. Atëherë dolën në skenë, në Kosovë, fillimisht islami politik dhe paralel me të edhe Lëvizja “Vetëvendosje” si të vetmet alternativa ndaj oligarkisë së formuar mbi arkën e shtetit, e cila kishte futë nën kontroll gjithçka dhe po e detyronte qytetarin ta shërbejë ose të nënshtrohet, ose të ikën nga këtu.

E keqja qëndronte te fakti se oligarkët kishin kapur dhe po e valëvitnin lart, me servilizëm, flamurin e Evropës dhe SHBA-ve dhe po pranonin gjithçka që u propozohej vetëm që të mbeteshin partnerë të preferuar të Perëndimit, ndërkohë që kushdo tjetër që luftonte ata i shpallnin me automatizëm armiq të Perëndimit.

Tani situata po rrjedh asisoj që edhe partitë e vjetra politike, të cilat e sollën dhe e mbajtën në pushtet oligarkinë e cila mori përmasa të pakontrollueshme, u detyruan të riorganizohen, pa arritur të reformohen, për të përfunduar në një koalicion të çuditshëm dhe jokomfor vetëm për të mbetur në lojë për formimin e Qeverisë së re. Koalicioni mblodhi rreth vetes njerëz që duan të ndërrojnë oligarkët, me oligark të rinj ose së paku nuk arritën të bindin shumicën për të kundërtën.

Fillimi i ri ose nuk u kuptua ose nuk u pranua nga qytetarët, mbase pikërisht për shkal të perceptimit të qytetarëve, të cilët e kishin të vështirë të shohin dallimin në mes të këtyre dhe oligarkëve që sundojnë aktualisht.

Një analizë sado sipërfaqësore e numrave dhe raporteve pas zgjedhjeve do të na tregojë se koalicioni PAN kishte humbur përcjellës dhe se të njëjtit kishin shkuar drejt grupeve që kishin arritur të krijonin një distancë më të qartë me oligarkët, që janë bërë simbol i krimit dhe korrupsionit dhe të gjitha dështimeve të pasluftës. Përcjellësit që ikën nga PAN-i ishin për ndryshim.

Ajo që e ndan “ Vetëvendosjen” nga pushteti dhe rrjedhimisht edhe nga përgjegjësia për të sjell ndryshimet të cilat do të hiqnin oligarkët nga pushteti është mungesa e angazhimit të drejtuesve të saj me bindë qytetarët se një oligarki nuk do të zëvendësohet me një tjetër, me një simbiozë të kombit dhe fesë, që do të sillnin në pushtet një ideokraci tjetër e cila sërish do të “kapte” shtetin dhe do të vazhdonte të defaktorizonte qytetarin.

Përpjekjet e vakëta në këtë drejtim, ende nuk e kanë artikuluar ofertën e “Vetëvendosjes” rreth asaj se si do të rridhnin gjërat më tutje. Çka mund të pres qytetari lidhur me qeverisjen e ardhshme: ideokraci apo demokraci? Përplasjet e fundit rreth iftarit në Kamenicë dhe reagimi i hutuar, i skajshëm në të dy drejtimet, nuk krijojnë siguri se “Vetëvendosje” ka ofertë të qartë ose së paku nuk po arrijnë të na e sqarojë dallimin në praktikë në mes të angazhimit kundër islamofobisë që është angazhim i mirë dhe promovimit politik të islamistëve shqiptar.

Në rrethana të tilla, shanset e të tjerëve për të u mirëkuptuar mes vete, rriten! Proporcionalisht me këtë rritet edhe përkrahja ndërkombëtare për ta përkundër gjithë rezervave. Padyshim, Albin Kurti, si lider i ri, e kupton plotësisht dallimin, por në vorbullën kosovare dhe në gjeopolotikën e Ballkanit islami politik është faktorizuar tashmë aq shumë, me ndihmën e jashtme kryesisht dhe kjo mund të jetë një çështje vendimtare për (mos)pranimin e lidershipit të tij.

Ndërkohë, që teatri politik kosovar bëhet gjithnjë më i zhurmshëm, ku ideokratët luftojnë kleptokratët kosovarë, kur organizohen iftare kolektive , parada “krenarie” dhe aktivitete tjera sociale e humane, qytetarët e hutuar, të ndarë në ne dhe ata, janë bërë mosbesues, aq josolidar, sa kalojnë fare pranë njerëzve që japin shpirtë në rrugë, pa e këthyer kokën apo pa e ofruar asnjë ndihmë..!

Në trend

Më shumë
Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objektit ku humbën jetën tre fëmijë

Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objektit ku humbën jetën tre fëmijë

Lajme
Kurti: Vdekja e tre fëmijëve në Jabllanicë trishtoi mbarë popullin, njëri prej tyre ishte djali i një polici kufitar

Kurti: Vdekja e tre fëmijëve në Jabllanicë trishtoi mbarë popullin, njëri prej tyre ishte djali i një polici kufitar

Lajme
Incidenti i radhës në Skenderaj, digjet me benzinë posteri i Albin Kurtit

Incidenti i radhës në Skenderaj, digjet me benzinë posteri i Albin Kurtit

Lajme
Milani arriti marrëveshje me skuadrën italiane për shitjen e Theo Hernandez, por francezi refuzoi këtë lëvizje

Milani arriti marrëveshje me skuadrën italiane për shitjen e Theo Hernandez, por francezi refuzoi këtë lëvizje

Serie A
Prokuroria nis hetimet pas shembjes së objektit në Jabllanicë që ka shkaktuar vdekjen e tre fëmijëve

Prokuroria nis hetimet pas shembjes së objektit në Jabllanicë që ka shkaktuar vdekjen e tre fëmijëve

Lajme
Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar  nga “Fundjavë Ndryshe”

Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar nga “Fundjavë Ndryshe”

Magazina
Kalo në kategori