LAJMI I FUNDIT:

Dy blloqet sytë kah LDK-ja

Dy blloqet sytë kah LDK-ja

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 11 qershor, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuesit e partive politike thonë se ende nuk kanë krijuar koalicione paszgjedhore për krijimin e Qeverisë së re të vendit.

Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, i njohur si koalicionin PAN, i cili prin me numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Kosovës, 39 sish, por edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka 32 ulëse, synojnë që koalicionin për qeverisje ta krijojnë me koalicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, që ka fituar 29 ulëse.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se koalicionit PAN, si koalicioni me më së shumti ulëse në Kuvend, do ta ofrojë mandatarin e parë për kryeministër të vendit, Ramush Haradinajn. Sipas tij, Haradinaj është duke komunikuar më Lidhjen Demokratike të Kosovës për krijimin e një koalicioni qeverisës, por ende nuk është konkretizuar ndonjë marrëveshje.


Megjithatë, siç thotë Lekaj, koalicioni PAN ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm prej 61 deputetësh, që do ta votojnë Qeverinë e Haradinajt, në të cilin numër janë përfshirë edhe deputet të partive tjera.

“Ne e kemi potencuar, por edhe vet zoti Haradinaj e ka thënë, që i kemi 61 deputetë që do ta mbështesin Qeverinë Haradinaj. Por, në këto ditët në vijim, pritet edhe ndonjë koalicion i mundshëm me subjektet tjera politike. Në këtë rast, mendoj për LDK-në dhe AKR-në. Nëse nuk pajtohemi me LDK-në dhe AKR-në, atëherë ne mund të themi se e kemi një Qeveri me 61 ose 62 deputetë dhe që do të jetë funksionale dhe do t’iu shërbej qytetarëve”, tha Lekaj.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, pretendon ta japë mandatarin e saj për kryeministër që do ta formonte Qeverinë e re të vendit, në rast se dështon votimi i mandatarit të ofruar nga koalicioni PAN.

Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjekti politik që përfaqëson ajo, ende nuk ka ndonjë marrëveshje për koalicion qeverisës me asnjë subjekt politik. Por, ajo nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit edhe me deputetët e koalicionit PAN.

“Ne ende nuk kemi lidhur koalicion paszgjedhor me ndonjë nga subjektet që kanë fituar ulëset në Kuvend, gjegjësisht me koalicionet e krijuara para zgjedhjeve, për formimin e Qeverisë së re. I kemi bërë një ftesë publike Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me partnerët e saj të koalicionit AKR-së dhe Alternativës, si dhe deputetëve të koalicionit PAN, deputetëve individualisht, të cilët dëshirojnë dhe mendojnë se duan ta çojnë në fund vullnetin e qytetarëve, i cili kësaj here qartë votoi për ndryshim”.

Në anën tjetër, Lekaj thotë se lidhur me krijimin e koalicionit qeverisës, koalicioni PAN nuk e ka përjashtuar mundësinë që këtë ta bëj edhe me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jo, nuk e kemi përjashtuar. Por edhe nuk kemi biseduar me ta, sa i përket Vetëvendosjes”, tha Lekaj.

Megjithatë, Pantina thotë se Lëvizja Vetëvendosje synon më shumë arritjen e një marrëveshjeje të mundshme me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka pasur edhe një telefonatë më herët me kryetarin e LDK-së, (Isa) Mustafa dhe jemi në pritje që të fillojmë bisedimet me ta për harmonizimin e programit qeverisës, pasi që ka disa çështje, për të cilat është e natyrshme që kemi mendime të ndryshme, sepse jemi subjekte politike të ndryshme. Po ashtu, për të përcaktuar edhe prioritetet e Qeverisë, e cila duhet të dalë. Por, ne duhet të presim, fillimisht, që të konsumohet e drejta e koalicionit PAN për të dominuar kandidatin”, thekson Pantina.

Sidoqoftë, koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e re dhe Alternativës, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nuk kanë dalë më ndonjë qëndrim lidhur me ndonjë koalicion paszgjedhor të mundshëm. Pavarësisht përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë për të kontaktuar me zyrtarët e LDK-së, e cila ka numrin më të madh të deputetëve të zgjedhur brenda koalicionit që i përket, ata nuk kanë qenë të qasshëm.

Në trend Lajme

Më shumë
Skandaloze: Turistët nga Vlora i detyrojnë të ecin me orë të tëra për të arritur te pistat e skijimit në Brezovicë

Skandaloze: Turistët nga Vlora i detyrojnë të ecin me orë të tëra për të arritur te pistat e skijimit në Brezovicë

Lajme
Kelmendi: Zjarri në ETC Suharekë më shkaktoi dëme mbi 3 milionë euro

Kelmendi: Zjarri në ETC Suharekë më shkaktoi dëme mbi 3 milionë euro

Lajme
Fushata në fazën kulmore, ashpërsohen akuzat dhe sharjet ndërmjet partive politike

Fushata në fazën kulmore, ashpërsohen akuzat dhe sharjet ndërmjet partive politike

Politikë
Peter Sorensen pritet të jetë pasardhësi i Lajçakut për dialogun Kosovë-Serbi

Peter Sorensen pritet të jetë pasardhësi i Lajçakut për dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Zbardhen mesazhet e vrasjes në Shkodër, një zë gruaje futi në kurth 33-vjeçarin Ramazan Mataj

Zbardhen mesazhet e vrasjes në Shkodër, një zë gruaje futi në kurth 33-vjeçarin Ramazan Mataj

Lajme
Operacion i policisë në disa qytete të Kosovës, konfiskohen narkotikë, armë dhe automjete të përfshira në krime

Operacion i policisë në disa qytete të Kosovës, konfiskohen narkotikë, armë dhe automjete të përfshira në krime

Lajme
Kalo në kategori