Disa qindra qytetarë serbë janë tubuar sot në Gazimestan, për të shënuar Ditën e Shën Vidit, të njohur më shumë si Vidovdan. Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e 628 të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.
Ceremonia fetare në Gazimestan është mbajtur pranë monumentit të Betejës së Kosovës, të ndërtuar nga mesi i shekullit të kaluar, nën administrimin jugosllav, në një fushë ku besohet të jetë zhvilluar beteja e Kosovës e shekullit XIV.
Qytetarët serbë të mbledhur në Gazimestan kanë brohoritur parulla nacionaliste “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë bartur flamuj serbë dhe rusë, si dhe kanë mbajtur edhe portrete të presidentit rus, Vladimir Putin. Në mesin e tyre ka pasur pjesëtarë të organizatave me ngjyrime nacionaliste, sikurse organizata “Obraz” (“Fytyra”).
Të tubuarve në Gazimestan u është drejtuar peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, Atanasije Jevtiq. Ai kritikoi autoritetet e Serbisë, duke aluduar në presidentin serb, Alekasandar Vuçiq, të mos konsiderojnë se serbët e shohin Kosovën vetëm si mit.
“Është e vërtetë dhe nuk është mitologji, ashtu siç po na flasin në pashallëkun e Beogradit, ata që në fakt rrëfejnë mitologjinë e integrimeve euro-amerikane, të atyre që na bombarduan, dhe që nuk çojnë askund. Kjo është Kosova dhe është e vërtetë. Vetëm një anti-serb mund të thotë se Kosova është mitologji. Këtë mund ta thotë vetëm tradhtari serb”, tha peshkopi Jevtiq.
Të pranishmëve në Gazimestan u ka folur edhe pretenduesi i trashëgimtarit të fronit mbretëror serb, princi Aleksandar Karagjorgjeviq. Ai tha se shteti i Serbisë dhe serbët nuk duhet tu frikësohen ndryshimeve në botë.
“Serbia është para ndryshimeve të mëdha. Në gjithë botën po ndodhin ndryshime. Askush nuk ka arsye që t’i frikësohet të ardhmes, nëse në të ecet me vizion. Nuk duhet të ketë frikë nëse respektohen të drejtat e njeriut. Serbia ka në çka të mbështetet nga e kaluara, gjë që na tregon edhe drejtimin se kah të shkojmë në të ardhmen. Nuk e festojmë Ditën e Shën Vidit si ditë e mposhtjes, por e festojmë si simbol i shpirtit të kombit”, tha Karagjorgjeviq.
Në kremten e Ditës së Shën Vidit, në Kosovë ka qëndruar drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq. Në manastirin e Graçanicës, ai deklaroi se Kosova nuk është vetëm zemra e Serbisë, por shpirti dhe fytyra e popullit serb.
“Dita e Shën Vidit është festë e shpirtit serb dhe lirisë serbe. Vidovdani na kujton për atë që si popull nuk kemi të ardhme pa kultivimin e traditës, të historisë sonë dhe anës shpirtërore, pa ruajtjen e shkrimit të shenjtë dhe pa shqetësimin shpirtëror”, tha Gjuriq.
Tubimi në Gazimestan për shënimin e Ditës së Shën Vidit dhe përvjetorit të Betejës së Kosovës, është tradicional për qytetarët serbë, ndonëse vitet e fundit është shënuar pjesëmarrje më e vogël në numër krahasuar me disa vite të mëparshme.
Zhivorad Vuksanoviq, një qytetar serb i Obiliqit, tha për Radion Evropa e Lirë se Gazimestani është vend i rëndësishëm për traditën e popullit serb.
“Kjo është ditë e rëndësishme dhe ne që jetojmë këtu e vizitojmë këtë vend, që është i shenjtë për ne. Kjo duhet të respektohet, sepse për këtë vend ka vdekur dikush, që të jetë i lirë. Por, tash po rikthehet situata, në të cilën nuk ka stabilitet dhe siguri”, tha Vuksanoviq.
Momir Markoviq, një qytetar tjetër serb, i tha Radios Evropa e Lirë se shënimin e përvjetorit të betejës së Kosovës, nuk duhet ta bëjnë vetëm serbët, por edhe shqiptarët, për shkak se, sipas tij, në këtë betejë edhe shqiptarët kanë qenë pjesë e aleancës kundër Perandorisë Osmane. Por, ai fajëson regjimin Slobodan Milosheviqit, i cili në vitin 1989, shënimit të 600 vjetorit të kësaj beteje, i kishte dhënë ngjyra krejtësisht nacionaliste.
“Atëherë nuk u ftuan në këtë festë politikanët dhe banorët shqiptarë të Kosovës. Për këtë shkak, edhe sot nënçmohet ardhja e tyre. Ndërkaq, në fakt, do të duhej që së bashku ta festojmë këtë ditë”, tha Markoviq.
Kremtimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës në vitin 1989, në kohën e udhëheqjes së presidentit serb Sllobodan Millosheviq, u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, me shpalljen siç thuhej të bashkimit të Serbisë, përmes rrënimit të autonomisë së Kosovës dhe me paralajmërimin e luftërave të përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave./REL/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëbim nga Kosova
Dënohet me 15 mijë euro gjobë drejtori i kompanisë “Bageri” për mashtrim në prokurim publik
Dimitrieska-Koçoska për taksën e solidaritetit: Nëse gjykata vendos që paratë të kthehen, nuk mund t’i shpëtojmë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë
KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Risi në sistemin e drejtësisë: Prokuroria dhe gjykatat me standarde të reja në matjen e dënimeve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje