LAJMI I FUNDIT:

Pesë sfidat e Edi Ramës sipas Euronews

Pesë sfidat e Edi Ramës sipas Euronews

Zgjedhjet në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen tek mediat ndërkombëtare dhe fillimisht marrë shkas nga exit poll-et dhe më pas rezultatet e para të dala nga kutitë e votimit, flasin për sfidat e vendit tonë.

Euronews i kushton një artikull të zgjeruar dhe pasi thotë se me shumë mundësi Edi Rama do të jetë në krye të qeverisë shqiptare edhe për 4 vjet, shkruan për sfidat me të cilat duhet të përballet.

Sipas Euronews ato janë pesë:


Pronat

Ka shumë dosje të hapura dhe të pazgjidhura. Vetë Rama e ka pranuar që çështja e pronave është një “lëmsh” që po del nga kontrolli. Për zgjidhjen e kësaj çështje, qeveria socialiste ka vendosur një fond prej 500 milionë eurosh, shumë që përdoret për kompensimin e pronarëve.

Drejtësia

Pastrimi i sistemit të drejtësisë, gjyqësorit dhe organit të akuzës nga elementët e korruptuar është një tjetër çështje që socialistët janë zotuar se do të përballen. Parlamenti miratoi ligjin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Më shumë se 300 persona akuzohen si të korruptuar në këtë sistem. “Duhet të justifikojnë të ardhurat, pasi një pjesë e mirë e tyre kanë vendosur pasuri që s’mund të justifikohet. Gjithashtu duhet të provojnë që nuk kanë lidhje me krimin e organizuar si dhe do të testohen për aftësinë”, thotë Kryeministri Rama.

Droga

Përpjekjet në luftën kundër drogës kanë qenë të vazhdueshme, por të pamjaftueshme për të ndalur sidomos kultivimin e kanabisit, i lidhur drejtpërdrejtë me krimin e organizuar. Sipas Europol, Shqipëria është furnizuesi kryesor me hashash në vendet e Bashkimit Europian.

Eksodi i trurit

Sipas Instat, rroga mesatare mujore në Shqipri është nën 460 mijë lekë. Nëse krahasohet me pagat në Itali dhe Greqi është shumë herë më e ulët dhe mjafton për të kuptuar se përse të rinjtë braktisin vendin.

Papunësia

Rreth një e katërta e të rinjve janë pa punë. Në Gjermani vetëm 7 përqind e të rinjve të moshës nga 15 deri në 29 vjeç figurojnë të papunë, ndërkohë që mesatarja në bllokun e BE-së është 17.2 përqind.