LAJMI I FUNDIT:

Gjykata e Lartë cakton seancë për rastin “Monstra”

Gjykata e Lartë cakton seancë për rastin “Monstra”

Gjykata e Lartë për të enjten e ardhshme, (29 qershor) ka caktuar seancën e hapur në të cilën do të shqyrtohen dhe të vendoset në bazë të ankesave të gjashtë të akuzuarit në rastin “Monstra”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Gjykata më parë dy herë ka anuluar këtë seancë, e cila fillimisht duhej të mbahej më 30 maj, ndërsa më pas u caktua për më 9 qershor, sepse një pjesë e avokatëve të të akuzuarve ishin në mjekim.

Në njërën prej seancave të anuluara, prokurorja publike Liljana Spasovska, ka kërkuar anulimin e seancës në kohë të pacaktuar që të mund Gjykata e Lartë të grumbulloj argumentet në lidhje me rastin, të cilët sipas informacioneve në opinion i posedon Prokuroria Speciale.


Por, kryetari i Gjykatës së Lartë, Jovo Vangellovski, i cili njëkohësisht kryeson me Këshillin Penal pesëanëtarësh në gjykatë, nuk e pranoi kërkesën dhe theksoi se nëse ka pasur indicie të reja Prokuroria Publike ka pasur kohë të mjaftueshëm t’i kërkoj nga PSP-ja.