LAJMI I FUNDIT:

Not, peshëngritje, mëngjes me vezë thëllëze: Kështu duket një ditë në jetën e Vladimir Putinit (Foto)

Not, peshëngritje, mëngjes me vezë thëllëze: Kështu duket një ditë në jetën e Vladimir Putinit (Foto)

Dëshironi ta bëni Vladimir Putinin të qeshë? Dhurojani atij një qen të pa trajnuar dhe një mëngjes me vezë thëllëze.

Kështu të paktën thotë një profil i vitit 2014 i Putinit, i përgatitur Ben Judah, i cili kishte shpenzuar tri vite duke e hulumtuar liderin rus për librin e tij, “Fragile Empire: How Russia Fell in and Out of Love with Vladimir Putin”, transmeton Telegrafi.

Presidenti rus së fundmi ka qarkulluar në të gjitha mediat botërore, kryesisht për shkak të një hetimi rreth kampanjës së Donald Trumpit, tensioneve rreth Sirisë dhe për reagimin e tij ndaj vendimit të SHBA-së për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit.


Sidoqoftë, si është jeta e presidentit rus në shtëpinë e tij në rusi?

Kështu duket një ditë në jetën e Vladimir Putinit:

Putini zgjohet paksa vonë, ndërsa shujtën e mëngjesit e han rreth mesditës. Zakonisht ai parapëlqen të konsumoj omëletë, me disa vezë thëllëze apo lëng frutash anash.

Posa ta ketë përfunduar shujtën e tij, ai e konsumon kafen e “mëngjesit”!

Pastaj, është koha për stërvitje! “Newsweek” kishte raportuar se Putini shpenzon rreth dy orë duke notuar.

Pas notit, Putini shkon në palestër, ku bën ushtrime me peshëngritje.

64 vjeçari njihet të ketë kultivuar imazh burrëror dhe atletik përgjatë viteve. Në vitin 2015, ai ishte fotografuar duke ushtruar me kryeministrin rus, Dmitry Medvedev. Siç kishte raportuar “Esquire”, kostumi i tij i palestrës kushton rreth 3,200 dollarë.

Sipas autorit Judah, Putini është paksa konservativ me zgjedhjet e tij të gardërobës, ku preferon kostume të qepura me porosi dhe kravata më të serta.

Ueb sajti “Russia Beyond the Headlines”, i cili udhëhiqet nga shteti rus, raporton se brendet e preferuara të veshjes të Putinit janë Kiton dhe Brioni.

Presidenti rus zakonisht nuk i futet punës deri në pasditen e hershme. Fillimisht, Putini ulet në tavolinën e tij për t’i lexuar të rejat e fundit.

Këto të reja përfshijnë raportimet në inteligjencë dhe punët e jashtme, e gjithashtu video nga mediet ruse dhe mediet ndërkombëtare. Përveç punës, presidenti rus nuk është një adhurues i leximit.

Herë pas here, një këshilltar i Putinit i shfaqë atij video satirike të internetit, duke e ngacmuar atë dhe qeverinë e tij. Përndryshe, ai përpiqet ta shmangë teknologjinë në punë, duke preferuar dokumente të letrës në vend të kompjuterëve.

Presidenti rus është adhurues i “jetës së natës” – por në vend se ta shpenzojë natën në klube, ai rrin deri vonë duke punuar. Sipas “Newsweek”, ai është shumë më i fokusuar gjatë mbrëmjes.

Kur udhëton jashtë vendit, orari ditor i presidentit rus ndryshon edhe më shumë. Kudo që shkon, ai ndryshon gjithçka, duke filluar nga çarçafët e deri te produktet e tualetit. Gjithashtu, Putini asnjëherë nuk pranon ushqim nga nikoqirët nëse paraprakisht nuk është kontrolluar nga Kremlini.

Sipas raportimeve të ndryshme, Putini e shmangë alkoolin, përveç gjatë takimeve apo vizitave formale.

Oraret e vikendeve janë më fleksibile, pasi që duhet të përshtaten me orët e mësimit të gjuhës angleze. Në ditët e diela, ai ndonjëherë lutet dhe rrëfehet.  Përndryshe, zyrtarët e afërm me presidentin rus tregojnë se jeta e tij nuk është si e një krishteri…

Putini përpiqet të gjejë kohë herë pas here edhe për ta luajtur një nga sportet e tij të preferuara: hokejin. Presidenti rus nuk parapëlqen vetëm ta përcjellë si shikues këtë sport, por edhe luan.

Putini i dashuron kafshët! Ai e mban një labrador 15 vjeç të zi, të quajtur Konni, një qen të racës Akita Inu, të quajtur Yume, dhe një qen Karakachan të quajtur Buffy.

Yume kishte shkaktuar një incident në vitin 2016, kur kishte ndërhyrë gjatë një interviste dhe u kishte lehur gazetarëve japonezë. Putini kishte reaguar duke e ushqyer atë dhe duke ua treguar gazetarëve disa truqe të Akitas. /Telegrafi/